Samiti i Berlinit, Von der Leyen: KE jep 1 miliard euro në grante si mbështetje të menjëhershme financiare

03/11/2022 14:36

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kancelarin, Olaf Scholz dhe kryeministri Edi Rama tha se komisioni do të japë 1 miliardë euro në grante si mbështetje të menjëhershme financiare.

Ajo tha se granti do të miratohet në dhjetor e do të vihet në dispozicion në janar.

Shuma do të ndahet në dy pjesë ku 500-shja e dytë do të vendoset në dispozicion për infrastrukturën energjike.

Von der Layen: Synimi ynë është shumë i qartë për të sjellë partnerët sa më pranë të jetë e mundur. Komisioni e ka vendosur sërish në tryezë e kemi bërë marrëveshje për një metodikë të re zgjerimi. Më pas kemi hedhur në tryezë një plan të konsiderueshëm prej 30 miliardë investime ekonomike. Patëm konferencën e parë ndërqeveritare me Malin e Zi  dhe këtë vit jemi të lumtur që do e zhvillojmë me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Ky përparim erdhi për shkak të progresit që bënë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në procesin e Berlinit objektivi është që të zhvillohet integrimi ynë ekonomik. Ne e dimë që investimet tona në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme për paqen e prosperitetin e Evropës.  Siç tha kancelari jemi të përbashkët sa I përket asnjanësisë klimatike deri në 2030, është e rëndësishme të sinkronizojmë hapat tona e të mbajmë nën kontroll çmimet. Kjo krizë e pashembullt kërkon hapa të pashembullt dhe kam kënaqësinë që Komisioni do të japë 1 mld euro në grante si një mbështetje e menjëhershme financiare. Kjo do të miratohet në dhjetor e do të vihet në dispozicion në janar. Do të ndahen në dy pjesë ku 500-shja e dytë do të vendoset në dispozicion për infrastrukturën energjike. Përveç kësaj do të forcojmë lehtësinë e furnizimit, që në momentin kur dikush të jetë me probleme të marrë solidaritetin tonë të menjëhershëm. Integrimi rajonal është zhvillimi i tregut të përbashkët, hap themelor.

Sot liderët e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë hodhën firmat për tri marrëveshje: Për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale. Ndërsa një temë tjetër e diskutimeve të tyre do të jetë edhe çështja e furnizmit me energji elektrike.

Qëllimi i këtij samiti sipas zyrtarëve të qeverisë gjermane është që Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të frikës nga ndikimet gjithnjë e më të shtuara të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Top Channel