“Rama të japë dorëheqjen mos sakrifikojë më bedelat e tij”, Meta: 12 nëntori dita e llogaridhënies

03/11/2022 14:10

Për Ilir Metën, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen një orë e më parë, e të mos presë datën 12 nëntor, ditën kur opozita ka thirrur në protestë shqiptarët, datë të cilën kreu i Partisë së Lirisë, e konsideron si ditën e llogaridhënies.

Në një konferencë për mediat, Meta kërkoi dorëheqjen e Ramës, që sic tha ai shqiptarët të mos jenë më të parët në kërkesat për azil, dhe Shqipëria të mos qeveriset më nga ajri me charter superluksoz.

“Është e papranueshme që vendi ynë, të lërë pas vendet në luftë e konflikt, si Gjeorgjia, Siria, Eritrea, por edhe Venezuela, Moldavia e vende të tjera. Për cdo 1 mijë banorë në Shqipëri, aplikojnë 5 banorë për azil.

Situata është edhe më e rëndë po ta krahasosh me Kosovën apo Bosnje Hercegovinën. Janë 137 udhëtimet me charterin superluksoz jashtë cdo transparence që i kanë marrë mendjen Edi Ramës.

Kohë më parë dhe në mënyrë sistemaike edhe në cilësinë e Presidentit të Republikës, kam kërkuar masa për të forcuar sigurinë kibernetike. Por janë shpenzuar fonde për AKSHI-n që vetëm janë vjedhur. Sot do ishim një nga vendet më të sigurta në Europë, por skandalet janë njëri më i rëndë se tjetri.

Ndërsa ai qeveris nga ajri me charter super luksoz, shqiptarët përballen me mjerim, ndaj largimi i tij është zgjidhja që shqiptarët mos jene vendi i parë në botë me kërkesat për azil.
Ky sot është regjimi më i neveritshëm që Shqipëria ka parë, me një kryehajdut si Edi Rama. Në vend të japë dorëheqjen fiton kohë përmes sakrifikimit të bedelave të tij.

12 nëntori është dita kur qytetarët do kërkojnë llogari për vjedhjen e përditshme dhe pasigurinë totale. Të japë dorëheqjen e mos vonohet asnjë sekond më shumë.” u shpreh Meta.

Top Channel