Ditën e nesërme Gjakova do të protestojë pas aktit barbar ndaj një të moshuare në Azilin e Pejës nga punonjëset infermiere.
Protesta e thirrur nga Shoqata Krimet e Luftës Gjakova 98\99 do të nisë nesër në orën 12:00 tek lapidari “Shokët e Lirisë”.
“Krejt bashkë të premten në ora 12:00 tek lapidari Shokët e Lirisë. Të parandalojmë torturat në Shtëpitë e Pleqve, t’i gjendemi në krah nenës Minire, nenës se dëshmorit Taulant Nura, i vrarë në Betejën e Çabratit më 7 Maj 1999. Nënat e dëshmorëve janë nënat tona”, thuhet në njoftimin për ngritjen në protestë.
Videoja e rëndë u publikua ditën e djeshme, dhe ngjalli reagime të forta të institucioneve, njerëzve publikë dhe atyre të thjeshtë të cilët ndjenë dhembshurinë për nënën e cila dhunohej barbarisht nga një infermiere.
Aurona Pelaj e dhunonte me shuplaka e shqelma, ndërsa koleget e saj po aq fajtore sa ajo, e filmonin dhe qeshnin. Dhunueset janë tashmë nën pranga, ndërsa nëna Minire është marrë nën kujdestari nga vajza e saj. Ajo çka e bën më të dhimbshëm ngjarjen, është se ajo ishte nëna e një dëshmori, që dha jetën për lirinë e Kosovës, Taulant Nura.
Top Channel