Vijat e para të frontit të luftës në jug të Ukrainës janë kthyer në objektiv kryesor në këtë fazë të muajit të tetë të sulmit rus, ndërsa forcat ukrainase përparojnë drejt Khersonit.
Qëllimi i sulmit të Rusisë në jug ishte marrja e kontrollin të portit kryesor detar të Ukrainës në Odesa, por forcat ukrainase në qytetin e Mikolaivit e ndaluan përparimin rus.
Edhe pse forcat ukrainase e zhvendosën vijën e parë të frontit më larg Mikolaivit, banorët e tij vazhdojnë të jetojnë çdo ditë mes bombardimeve.
Ata mbajnë peshën e sulmeve ruse.
Shtëpia e Olhas u shkatërrua pas sulmit të fundit me raketa ruse në një nga zonat rezidenciale të qytetit. Ajo dhe familja e saj u shpëtuan nga gërmadhat e banesës së tyre. Ajo foli me Zërin e Amerikës disa orë pas sulmit.
“U zgjova nga britmat e fqinjëve që kishin parë diçka të fluturonte në drejtim të shtëpive tona. Të gjitha shtëpitë në zonën tonë nuk kanë dritare, nuk kanë asgje. Ndjeva një boshllëk në shpirt. Kuptova se ishte shkatërruar çdo gje e dashur për mua. Është një ndjesi e tmerrshme”, thotë Olha, banore e Mikolaivit.
Dikur, Mikolaivi ishte qytet i zhurmshëm me 500,000 banorë. Tanimë gjysma e popullsisë ka ikur në vende më të sigurta.
Banorë të tjerë, si Olha, vazhdojnë luftën e tyre, qëndrojnë për të mbajtur gjallë qytetin.
Tërheqja e forcave ruse nga rajoni i Khersonit u jep atyre shpresë.
Me këtë shpresë, ata po riparojnë, ose rindërtojnë shtëpitë e tyre, duke u përgatitur t’i bëjnë ballë një dimri të vështirë.
Olha nuk do lejojë as frikën, as sulmet as të ftohtin, ta pengojnë në betejën e saj.
“Do të vazhdoj të mbështes të afërmit në rindërtimin e aparamentit. Do ta riparojmë plotësisht. Nuk kemi ku të shkojmë tjetër. Do ta rindërtojmë dhe do të vijojmë të luftojmë. Shpresoj se do të mbijetojmë. Edhe në këtë gjendje, çdo gjë këtu është e dashur për mua. Jam gati të qëndroj këtu dhe të luftoj deri në fund”, thotë Olha, banore e Mikolaivit.
Organizatat humanitare thonë se do t’u gjenden pranë njerëzve për aq kohë sa ata kanë nevojë.
“Tani po ndihmojnë në përgatitjet për përballimin e dimrit. Po përgatisim tenda, mjete ngrohëse dhe disa pajisje të tjera”, thotë Pavlo Buznik, nga Kryqi i Kuq, Ukrainë.
Mikolaivi nuk është qyteti i vetëm në të cilin zhvillohet luftë.
Edhe pse është shkatërruar, njerëzit po qëndrojnë të fortë duke mbijetuar dhe duke u bërë shembull për pjesën tjetër të vendit, nën rrethim./Voa
Top Channel