Teksa Kosova pret me ankth një dritë jeshile nga takimi i dytë i grupit të punës për vizat në Këshillin e BE-së, Presidenca çeke ka dërguar një “dokument ndërinstitucional”, në të cilin tashmë është përfshirë edhe kërkesa e Francës e paraqitur në takimin e parë, në 13 tetor.
Parisi zyrtar kërkonte aty që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për liberalizimin e vizave për Kosovën, të kushtëzohet me fuqizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).
Por nëse në fund, një kushtëzim i tillë bëhet vërtet, atëherë kjo nënkupton se kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë vetëm me pasaportë në Zonën Schengen deri në nëntorin e vitit 2023, sepse sistemi në fjalë aktualisht nuk funksionon, dhe vetëm vitin e ardhshëm pritet të nisë nga puna.
Propozimi i ndryshuar i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së përmban kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”, si dhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në hyrjen në fuqi, të përmbyllë marrëveshje për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tilla deri më tani, si dhe ta përshtase akoma edhe më shumë politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.
“Heqja e vizave do të vlejë vetëm për mbajtësit e pasaportave biometrike të lëshuara në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), dhe nuk do të zbatohet deri në nisjen efektive të operimit të Sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS)”, është formulimi i ri në draftin e fundit të tekstit të propozimit për vendimin mbi liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në takimin e parë të grupit punues, Franca kishte kërkuar që liberalizimi të kushtëzohet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS, por një numër i madh shtetesh dhe Komisioni Europian këtë e kishin quajtur “të panevojshme” pasi hyrja në fuqi nuk varet nga Kosova dhe se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Ka pasur raporte se ai është mbështetur edhe prej së paku katër shteteve të tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
Top Channel