Dhunuan të moshuarën në azil, tre infermiereve i caktohet masa e paraburgimit me një muaj

03/11/2022 21:37

Tre infermiereve të akuzuara për dhunimin e të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë iu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Aurona Pelaj, A.R dhe R.K, në bashkëpunim me njëra tjetrën akuzohen për veprën penale ‘sulmi’.

Gjyqtari i procedurës paraprake, në vlerësim të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurave konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende.

Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se me lënien e të pandehurave në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të pandehurave, si dhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to.

Gjykata tha se vlerësoi edhe mundësinë e caktimit të ndonjë mase më të lehtë ndaj të pandehurave, mirëpo gjeti se masat e tjera të parapara me ligj si masa më të buta se masa e paraburgimit, nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal, të suksesshëm dhe të papenguar të procedurës penale./KosovaPress

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA