Avokatët mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë treguan së fundi se planifikojnë të thërrasin tetë dëshmitarë ndërkombëtarë në sallën e gjyqit pranë Dhomave të Specializuara, duke përfshirë këtu emra të njohur si  Ish-Komandanti i forcave të NATO-s në Europë, gjenerali Wesly Clark, ish shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë  William Walker, shefin e parë të  Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kouchner, etj.

Në listë është edhe një dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, emri dhe të dhënat e të cilit janë të redaktuara.

Tetë dëshmitarët gjatë kohës për të cilën është ngritur aktakuza, kanë qenë diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë, figura ushtarake në pozita të larta në NATO, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë [OSBE], në Kombet e Bashkuara, në Administratën e Përkohshme të OKB-së në Kosovë [UNMIK] dhe në Misionin për Monitorim në Kosovë. Që të gjithë kanë pasur ndërveprime me Thaçin, si në aspektin profesional, por në disa raste edhe në atë personal”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.

Mocioni thuhet se ka të bëjë me “mundësitë unike hetuese”, duke kërkuar që gjithashtu qe gjykata të lejojë mbrojtjen të “ruajë” dëshmitë e këtyre dëshmitarëve, nëse ata nuk do të mund të paraqiten fizikisht në gjykatë. Mbrojtja e Thaçit ka humbur nderkohe dy dëshmitarë potencialë, një nga të cilët ish sekretare amerikane e shtetit, Madeleine Albright, që vdiq në moshën 84-vjeçare.

Thaçi, si ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me ish-eprorët e tjerë: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Top Channel