Shpresa Guçe po i gëzohet motit të ngrohtë të kësaj vjeshte, teksa jeton në kushte tejet të vështira nën hijen e shtëpisë së saj të dëmtuar rëndë nga tërmeti në zonën e plazhit në Durrës. Dimri i katërt e gjen sërish jashtë.
Çadra që i dhanë është ende në këmbë, por bashkë me vajzën dhe dy mbesat e vogla janë zhvendosur në një kontejner të dhuruar nga kisha.
“Mes ftohtit, pa zjarr, pa kushte, me ndihmë ekonomike jam. Më dha fjalën kryetarja e bashkisë që erdhi me administratorin që dola DS5. Fjalët e bukura i merr era. Jam e sëmurë. Jetojmë 4 veta në kontenier… me banjo përjashta. Ujë nuk kam. I lutem kryetares dhe Edi Ramës që më ka parë me qindra herë në kamera dhe nuk e di pse po më lenë në këtë hall, në këtë vuajtje kaq të mallkuar. Nuk kalohet dimri në një konteiner ku gjysma kullon ujë. Më thotë mbesa në klasë të parë nëna nuk kam një tavolinë ku të studioj. I lutem shtetit, qeverisë të vejë dorën në zemër. Jam hallexhie, fukara.”-tha Shpresa Guçe.
Për shkak të gjendjes së mjerueshme, Shpresa tregon se i biri i la për rritje mbesën, ndërsa mori rrugët e mërgimit për të siguruar një punë dhe para për rritjen e saj.
“Kur ishin votimet dhe erdhi Vangjush Dako para votimeve më premtoi: Do hysh në shtëpi për vitin e ri dhe më mashtroi. Tani erdhi kryetarja e re. Ku i ka fjalët e bukura ajo që më premtoi do të bijmë ndihma për Krishtlindje dhe asgjë. Të gjithë jetojnë nëpër shtëpia luksoze dhe marrin bonus (dhe të padëmtuar nga tërmeti), ndërsa unë jetoj mes katër rrugëve. Jam 59 vjeçe grua dhe jetoj si skllave.
Kryetarja e bashkisë na nxori DS5 dhe na premtoi se është dhe një komshi që banon këtu. Një shtëpi mua, një shtëpi atij. Ja dhe çadra e zotërisë. Dy familje jemi që vuajmë këtu në lagjen 13.”- tha ajo.
E ndërsa Shpresa tregon shtëpinë e vjetër, kthehet fqinji i saj Luani që vazhdon të jetojë brenda vilës së rrënuar nga vitet dhe tërmeti. Ai fle në korridorin e shtëpisë ku ka jetuar mbi 40 vjet. Çadra që i patën dhënë për emergjencë nuk është funksionale. Uji ka depërtuar prej kohësh në të.
“Na kanë lënë në ajër. Bonus qiraje nuk marrim ka 2 vjet. Na thonë se nuk na takon meqë nuk kemi certifikatë pronësie. Kemi shumë frikë këtu se është DS5… Po në kompjuterin e bashkisë figuron dritë jeshile, sikur e marrim bonusin e qirasë. Abuzohet në maksimum… Këtu jetoj unë dhe minjtë e lagjes…”- tha Luan Braçi.
I pashpresë tregon se po i ngrys vitet teksa dëgjon veç premtime dhe deklarata publike se programi i rindërtimit i ka kthyer të gjithë në banesa të reja.
-Kjo është shtëpi e pabanueshme. Pse jetoni këtu?
–Braçi: Atë e di shteti, Edi Rama që thotë i kam rregulluar të gjitha. Ai thotë që tërmetin e kam rregulluar. Ja ku jemi ne të tërmetit, në çadra të grisura dhe jetojmë prapë në korridor”.
-Nuk ju kanë dhënë asnjë afat?
–Braçi: Asnjë lloj premtimi.”
Top Channel