Sot afati i fundit që dhanë pedagogët, Rama i prerë: Shiksi i merr urdhrat nga foltorja e baltës

02/11/2022 11:30

Kryeministri Edi Rama la të kuptohej se nuk do të ketë plotësim të kërkesave të pedagogëve, të cilët kanë paralajmëruar grevë nëse nuk ka reagim pozitiv nga ana e qeverisë.

Gjatë përurimit të shkollës “Klodian Tanushi” në Qesarakë, ai e quajti “shiks” kreun e sindikatës, i cili sipas Ramës  merr udhra nga ish-kryeministri Sali Berisha, ku ky i fundit bashkëpunon me Rusinë.

“Para se te vija këtu isha me disa përfaqësues të një partie politike të Maqedonisë së Veriut të cilët më thanë se faturat u janë rritur katërfish, energjia, plus të tjera në Maqedoninë fqinje. Thënë këto, meqë e preku Erioni, është e pa imagjinueshme dhe duhet ta përforcoj mesazhin e Erionit sepse jemi këtu për  të kremtuar një dëshmor, për të kremtuar një mesazh kuptimplotë të dikujt që jetën dha për atdheun, ndërkohë që sot në këto kushte të vështira, jo profesorët e pedagogët e universitetit, por një çetë brenda trupës që është shumë me madhe se sa aq për fat të mirë, një pakicë nën drejtimin e një SHIK-si i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve, del me ultimatumin se nëse nuk iu rriten rrogat edhe më shumë se ç’iu rritën, do hyjnë në grevë uri. Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, njerëzit pa flamur, njerëzit pa fe, njerëzit pa din e iman. Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre të cilët me siguri shumica dërmuese i kanë të ardhurat më pak sesa SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës, por nuk bëjnë grevë urie. Greva e urisë është një institucion shumë i lartë përmes të cilit luftohet për të drejta shumë themelore, jo për rroga. Aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pikërisht pedagogët e universitetit.

Nuk iu është rritur rroga 15% mësueseve që janë këtu bashkë me këta fëmijë edhe pse kanë një punë shumë më të vështirë se shumë ndër ata të cilët mbajnë emrin e pedagogut dhe kanë edhe paturpësinë të dalin edhe nëpër media e të thonë ‘’nuk ia vlen të jesh pedagog në Shqipëri”. Si mundet një misionar i arsimimit të gjeneratës së re te deklarohet publikisht se nuk ia vlen? Natyrisht që përfitojnë nga një autonomi e kuptuar si papërgjegjshmëri sepse normalisht dikush që thotë se nuk ia vlen të jesh pedagog, nuk mund të jetë më pedagog, por është autonomia, nuk është e drejta dhe mundësia jonë që t’i tregojmë vendin këtyre lloje personazheve që ç’edukojnë rininë tonë.

Ashtu sikundër edhe një herë e përsëris, shumica e pedagogëve nuk janë këta dhe s’kanë se si të jenë këta, se nëse do ishin këta, atëherë do ishim vërtetë në alarm, në një alarm shumë më të madh sesa inflacioni i luftës, në një alarm shumë më të madh se sa kriza globale e çmimit të energjisë, por fatmirësisht nuk janë këta shumica dhe më vjen keq që u detyrova të flas për këtë, por më vjen shumë mirë që këtë mundësi na e jep shembulli i një djali i cili pagën e kishte më të ulët sesa SHIK-si që do të futet në grevë urie për t’i shërbyer atyre të cilët i shërbejnë rublave ruse dhe jo atdheut, por dha jetën!

Ne nuk mundet dot kurrë dhe dua ta mbyll me këtë, që të jemi në gjendje që t’ua kthejmë ashtu siç e meritojnë, jo familjeve të dëshmorëve, por as pensionistëve, siç është edhe babai i Klodianit, që një jetë të tërë e ka kaluar me kokën ulur dhe me punë e me djersë, me ndershmëri e me sakrifica dhe janë më mirëkuptues sesa ata më të përkëdhelurit dhe përfituesit më të mëdhenj dhe abuzuesit më të mëdhenj që i dini mirë kush janë dhe s’dua t’i përmend këtu, por më vjen shumë mirë nga ana tjetër që ne sot  jemi në gjendje t’u themi të tre fëmijëve të Klodianit që ata janë fëmijë të kësaj Republike dhe se deri në fund të rrugëtimit të tyre përpara se të dalin në jetë, pasi të mbarojnë shpresoj edhe universitetin, ata do të jenë të mbështetur financiarisht nga shteti dhe në aspektin financiar. Paga e babait do të vijë në shtëpi, jo një pagë e vetme, por do të vijë në shtëpi më shumë sesa një pagë për të tre ata në mënyrë që të paktën financiarisht nëna të mos ketë stresin dhe të ardhurat për shkollimin e tyre, të jenë të ardhurat jo që mund të sillte babai, por që babai do të donte të kishte sjellë, pra më tepër sesa paga e babait.

Meqë deputeti i zonës tonë, deputeti për të cilin unë votoj si banor i kësaj zone edhe pse unë jam më thellë dhe i përkas katundit dhe këtu jemi te Fresku i qytetit, më përmendi për ndërtimin e këtyre shkollave, qoftë kësaj dhe qoftë të gjimnazit që kemi pranë, më vjen shumë mirë që së bashku ne e bëmë këtë, por dua ta them që kjo ishte këmbëngulja e deputetit, e Xhemalit, i cili ka edhe fatin të ketë një këshilltar shumë të vyer që është ‘’Qefalia i modh’’, që nuk është këtu u ulur në radhën e parë pikërisht se është “i modh””, tha Rama.

Ora 16:00 e ditës së sotme është përfundimi i afatit të vendosur nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve shqiptare ndaj qeverisë për të përmbushur kërkesat e tyre që konsistojnë në rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve.

Nëse nuk do të ketë një përgjigje pozitive nga ana e qeverisë atëherë pedagogët do të hyjnë në grevë urie, të cilësuar si grevë simbolike me pjesëmarrjen e 10 pedagogëve.

Bojkoti i mësimit nga sindikata ka qenë i përçarë, pasi jo të gjithë pedagogët u janë bashkuar. Ndërsa një pjesë qëndroni jashtë fakulteteve, pjesa tjetër ka vijuar me mësimin normalisht.

Top Channel