Së fundmi trajneri i Anglisë Gareth Southgate është kritikuar nga grupet e të Drejtave të Njeriut pasi tha se punëtorët në Katar janë “të bashkuar” në dëshirën që Kupa e Botës të realizohet aty.
Southgate pretendoi se punëtorët “duan që futbolli të vijë në Katar” sepse ata e duan sportin. Ndërkohë që ‘Amnesty International’, një lëvizje globale tha se punëtorët janë të shqetësuar që të drejtat e tyre të jenë të mbrojtura plotësisht.
Familjet e punëtorëve migrantë që kishin vdekur, plagosur ose janë mashtruar për pagat e tyre kanë thënë se “do të donin të mbështesnin Kupën e Botës, por nuk munden sepse fëmijët e tyre janë të uritur dhe se kryefamiljarët vdiqën në Katar”.
Katari, pritësi i finaleve të Kupës së Botës nga 20 nëntori, është kritikuar ashpër për të drejtat e njeriut.
Southgate në një intervistë me CNN, pranoi se kishte probleme të vazhdueshme me Katarin, por tha se nuk kishte asnjë dyshim që Kupa e Botës duhet të vazhdojë.
“Unë kam qenë në Katar disa herë dhe kam takuar shumë punëtorë atje dhe ata janë të bashkuar me siguri në një gjë, kjo është se ata duan që turneu të ndodhë dhe ata e duan këtë sepse e duan futbollin. Tha ai. “Ata duan që futbolli të vijë në Katar”.
Vlerësohet se deri në 30,000 punëtorë emigrantë janë përdorur në projektet për të ndërtuar shtatë stadiume për finalet në Katar, si dhe një aeroport të ri, metro të re dhe rrugë të reja.
Minky Worden, drejtoresha e iniciativave globale në ‘Human Rights Watch’ tha se punëtorët migrantë në Katar nuk mund të flasin lirshëm për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe se Federata Angleze e Futbollit nuk i kanë kontaktuar punëtorët migrantë dhe familjet e atyre që kanë vdekur.
Vitin e kaluar, Guardian raportoi se 6,500 punëtorë migrantë kishin vdekur që kur Katarit iu dha Kupa e Botës 10 vjet më parë. Një hetim më i fundit zbuloi se punëtorët e punësuar në projekte të lidhura me Kupën e Botës duhet të punojnë me turne 12-orëshe në 30 ditë në muaj për të fituar ekuivalentin e rreth 1 £ në orë.
Federata Angleze e Futbollit ka mbështetur thirrjet për dhënien e kompensimit për “çdo dëmtim ose vdekje që lidhet me ndonjë projekt ndërtimi” për Kupën e Botës.
Top Channel