Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, befasoi me pohimin e fundit se partia e tij mund të mbajë referendum për amendamente kushtetuese që do të mbronin të drejtën e grave për të mbajtur shami të kokës.
Kjo çështje mblodhi kokë më kokë Partinë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim me partitë opozitare në një kohë kur secila palë kërkon të grumbullojë mbështetje përpara zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të qershorit 2023.
Sondazhet deri tani nuk janë aspak optimiste për qeverine e Erdoganit, mbështetja për të cilën rezulton në rënie. Sondazhet e tjera tregojnë se pak turq e shohin shaminë e kokës si çështje debati, ndërkaq kritikët dhe opozita thanë se shënjestra e vërtetë i ndryshimeve kushtetuese është komuniteti LGBT+.
Shamia e kokës ka qenë më parë burim ndasish të mëdha në Turqinë, shtet secular por me popullsi mbizotëruese muslimane. Debati për këtë çështje megjithatë ka marrë një dimension tjetër pas reformave të kryera gjatë qeverisjes 20-vjeçare të partisë me rrënjë islamike të Erdoganit. Partia sekulariste CHP e shprehu sërish në parlament kundërshtinë e saj për shaminë e kokës. Erdogani reagoi duke propozuar ndryshimet kushtetuese se bashku me ato që i quan “masa për mbrojtjen e familjes nga trendet perverse”.
Referendumi mund të mbahet nëse ndryshimet nuk marrin mbështetjen e 360 deputetëve në Parlamentin prej 600 vendesh. Partia e tij dhe aleatët nacionalistë kanë së bashku 334 deputetë.
Top Channel