Sami Khedira ishte një nga protagonistët në triumfin e Gjermanisë në Botërorin Brazil 2014.
Mesfushori me origjinë tuniziane, i cili gjatë karrierës si futbollist u shpall kampion në tri shtete të ndryshme (Stuttgart, Real Madrid, Juventus), veshi 77 herë fanellën e “Pancerave” duke gjetur rrugën e rrjetës në shtatë raste.
Në verën e vitit të kaluar i dha fund aventurës me Hertha Berlin dhe u tërhoq përfundimisht nga futbolli, teksa në një prononcim për SID theksoi se Gjermaninë e sheh të avancojë deri në gjysmëfinalet e Katar 2022, duke zbuluar edhe problemin e madh të skuadrës së Hansi Flick.
“Këtë vit nuk ka asnjë favorit kryesor për fitimin e Kupës së Botës siç ishte rasti me Francën në 2018. Brazili është tepër i fortë dhe kombëtaret e zakonshme evropiane janë gjithashtu në garë për titullin.
Franca mund të ketë lojtarët më të mirë, por Gjermania nuk është më keq, flas sa i përket kolektivit të skuadrës. Prandaj, unë mendoj se ata mund te arrijnë të paktën në gjysmëfinale. Ne kemi portierin më të mirë në botë dhe nuk merakosem as për mesfushën.
Kemi sulmues të mirë, por është problem fakti që rastet e shumta që krijohen nuk kthehen në gola. Kemi shumë lojtarë të mirë, por ajo që na mungon është një ‘vrasës’ i tipit Klose”, deklaroi ish-mesfushori i njohur.
Top Channel