Gjithnjë e më shumë, amerikanët po instalojnë zile me video dhe kamera vëzhgimi brenda dhe përreth shtëpive të tyre për t’u mbrojtur nga vizitorë të padëshiruar ose të rrezikshëm.

Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Julie Taboh, ndërsa shumë konsumatorë mendojnë se këto pajisje ofrojnë qetësi, disa shqetësohen se ato mund të shkaktojnë paragjykime ndaj atyre të kapur në kamera.

Në fillim të këtij viti, 6-vjeçarja Ken’adi Nash po hidhte plehrat përpara shtëpisë së saj kur një i panjohur e kapi dhe u përpoq ta tërhiqte zvarrë.

Ajo arriti të çlirohej.

“Ajo hyri me vrap në shtëpi duke bërtitur e tmerruar, kështu që e kuptova që diçka nuk shkonte. Më tha se dikush kishte dashur ta rrëmbente”, i tha Zërit të Amerikës, mamaja e saj, Mandie Miller Nash.

Incidenti u regjistrua në videokamerën e ziles së derës së familjes, të cilën ata ia dhanë policisë si provë dhe kjo ndihmoi që personi të dënohej.

“Jam shumë mirënjohëse që kemi zilen Ring që shërbeu si dëshmitar. Po të mos kishim video të këtij incidenti, a mendoni se dikush do të na kishte besuar?” thotë ajo.

Zilet me sistem videosh janë përhapur shumë në Shtetet e Bashkuara. Ato jo vetëm që regjistrojnë krimet, por luajnë gjithashtu një rol kyç në parandalimin e tyre.

Disa kamera që diktojnë lëvizjet mund të ndezin prozhektorët dhe t’i dërgojnë një njoftim pronarit të shtëpisë, i cili mund të aktivizojë një sirenë.

Ato gjithashtu mund të aktivizojnë paralajmërimet që njoftojnë shkelësit se po regjistrohen.

Dhe disa pajisje u japin mundësi konsumatorëve të flasin me personat që përpiqen të hyjnë në kohë reale nga celularët, edhe nëse janë larg.

“Qëllimi ynë është t’i bëjmë lagjet më të sigurta. Je apo nuk je në shtëpi, të krijon një qetësi psikologjike të kesh një sistem që ndihmon në mbrojtjen e familjes tënde”, thotë Josh Roth, Drejtor i Teknologjisë i kompanisë Ring, që është në pronësi të kompanisë Amazon.

Por ndërsa një numër në rritje njerëzish po përdorin këto pajisje vëzhgimi, disa po shprehin rezerva se kjo teknologji …dhe postimi i videove të personave në mediat sociale — mund të përforcojë stereotipet racore.

“Përforcon ato paragjykime historike që sugjerojnë se disa nuk duan që persona të caktuar të jenë para shtëpisë së tyre në orën 2:00 të mëngjesit, por në fakt nuk duan që ata të jenë para shtëpisë së tyre as në orën 10:00 të mëngjesit, Dhe kështu ata mund të ngrenë alarmin nëse mendojnë se dikush nuk duke si fqinjët e tyre”, thotë studiuesja e Institutit Brookings Nicol Turner Lee.

Gjë që mund t’i bëjë lagjet më pak miqësore për banorët e rinj.

“Mund të kesh këtë pajisje komerciale, por kjo nuk të bën polic në lagjen tënde”, thotë ajo.

Zonja Turner Lee propozon idenë e transparencës si vendosja e një shenje para shtëpisë që u bën të ditur njerëzve se zona përreth shtëpisë mbikqyret me kamera, si edhe të mbahen parasysh paragjykimet që mund të ketë një përdorues i saj.

Shitjet e zileve elektronike me video parashikohet të përhapen gjerësisht në mbarë botën në vitet e ardhshme./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA