Bojkotin e përditshëm, qe prej nisjes se vitit të ri akademik në muajin tetor, pedagogët kanë vendosur ta përshkallëzojnë.
Ora 16:00 e datës 2 nëntori është përfundimi i afatit të vendosur nga sindikata e punonjësve të universiteteve shqiptare ndaj qeverisë për të përmbushur kërkesat e tyre që konsistojnë në rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve. Nëse nuk do të ketë një përgjigje pozitive nga ana e qeverisë atëherë pedagogët do të hyjnë në grevë urie, të cilësuar si grevë simbolike me pjesëmarrjen e 10 pedagogëve.
“Në orën 4 pasdite ne do mblidhemi këtu dhe do vendosim përfundimisht nëse ka një përgjigje pozitive nga qeveria apo nuk ka. Sipas përgjigjes së qeverisë në do të vendosim fiks se si do të operojmë, por ajo që është në fuqi nderi tani është se nëse nuk kemi një përgjigje pozitive nga qeveria, kemi gatishmërinë e një pjese të stafit që është i gatshëm të kalojë në grevën e ngujimit si grevë simbolike, e padëshirueshme por simbolike, do jetë unike besojë në botë. Bëhet fjalë për 10 pedagogë, mund të jenë, simbolike është ajo. Janë nga universitete të ndryshme, nga politekniku mund të jenë dy veta. Do jetë në ambiente të brendshme”, tha Sander KOvaci, kreu i SPUSH.
Menjëherë pas kësaj deklarate ka ardhur dhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili edhe pedagoget i lidh me rublat ruse. Përmes një postimi në Twitter ku ka publikuar foton e një kungulli të gdhendur me fytyrën e Putin, ai thotë se grevë urie për rritje rrogash bëjnë vetëm njerëzit pa fe e atdhe.
“Shiksi i NonGratës paska marrë urdhër për t’i dhënë ultimatum qeverisë me grevë urie të pedagogëve! Grevë urie për rritje rrogash bëjnë vetëm njerëz pa fe e pa atdhe, rublaxhinj pa din e pa iman, foltorexhinj e baltaxhinj që vetëm Shqipërisë e shqiptarëve nuk i shërbejnë”, tha Rama.
Bojkoti i mësimit nga sindikata ka qenë i përçarë, pasi jo të gjithë pedagogët u janë bashkuar. Ndërsa një pjesë qëndroni jashtë fakulteteve, pjesa tjetër ka vijuar me mësimin normalisht.
Top Channel