Arratia e 45-vjeçarit nga Vlora të kërkuar në Greqi për përdhunimin e një gruaje, përfundoi me kapjen e tij nga blutë e qytetit bregdetar dhe dorëzimin tek pala greke.
Një mister rrethoi gjurmimin e Spartak Dyrmishit, që u raportua të ishte nisur drejt Shqipërisë natën e 27 tetorit me shpresën t’i shpëtonte në këtë mënyrë drejtësisë në vendin fqinj, ku kërkohej për të paktën tre sulme seksuale, që të gjitha në zonën e Athinës.
Ishin kamerat e sigurisë ato “që e tradhëtuan”, duke i zbuluar organeve të rendit identitetin e tij. Sipas denoncimit të njërës prej viktimave dyrmishi kreu një përdhunim në stacionin e tramvajës në lagjen Faliro, në një prej zonave më turistike të kryeqytetit grek.
Ndërsa më pas tentoi të përdhunonte një tjetër grua, e cila fatmiresisht shpëtoi dhe u largua me vrap duke kërkuar ndihmë. Autori i dyshuar është ndarë para pak kohësh nga bashkëshortja dhe banon me të ëmën. Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Takis Theodhorikakos deklaroi pak më parë se tashmë Dyrmishi është në duart e policisë greke dhe do të dalë përpara drejtësisë së shtetit Helen për veprimet e tij të përshkruara nga ministri si çnjerëzore dhe kriminale.
Sipas informacioneve në shtypin grek, Theodorikakos ka biseduar tri herë me homologun shqiptar ditën e djeshme, duke kërkuar që të intensifikohen procedurat për gjetjen dhe dorëzimin e 45-vjeçarit tek autoritetet greke.
Sipas të njëjtave informacione, autoritetet shqiptare e identifikuan Dyrmishin nga shenja e gishtit të celularit dhe pasi e kanë arrestuar, në orën 2 të mëngjesit të sotëm ia kanë dorëzuar menjëherë efektivëve në anën tjetër të kufirit. 45-vjeçari, i cili tashmë është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Athinë, pritet të dërgohet në prokurori. Mësohet se Dyrmishi ka insistuar vetë që policia shqiptare ta dorëzojë atë tek pala greke.
Top Channel