Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykim dhe aktet në ngarkim për ish shoferin në drejtorinë e burgjeve Hamza Tola dhe tre punonjës të tjerë të Kadastrës Sarandë.
Këta persona akuzohen për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Duke iu prezantuar qytetarëve të ndryshëm si punonjës i ministrisë së Drejtësisë, Tola u merrte para atyre duke iu premtuar në këmbim zgjidhjen e problemeve të tyre. Njëri prej tyre, Kastriot Kreku, Tola i premtoi se do i nxirrte certifikatën e pronësisë në Borsh, duke i marrë në këmbim 3 mijë euro.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 12.05.2022 ka regjistruar procedimin penal me nr.102/2022, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25, 259/2, 244/2 dhe 245/1/4 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera u administruan prova që vërtetojnë se të pandehurit Hamza Tola dhe Jorgo Kreku kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar në nenin 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal, për arsye se, me veprimet e tyre, ato i kanë kërkuar shtetasit Kastriot Kreku një përfitim të paligjshëm monetar, që varionte nga 1000 Euro deri në 3000 Euro, duke i premtuar ndërhyrjen tek të pandehurit Laert Pasha dhe Sajmir Bako, të dy punonjës të ASHK Sarandë, me qëllim për ta ndihmuar atë në procedurën e pajisjes me çertifikatën e pronësisë.
Ndërkohë gjithashtu u administruan prova që vërtetojnë se të pandehurit Laert Pasha dhe Sajmir Braho, punonjës të ASHK Sarandë, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 e 25 i Kodit Penal, me qëllim marrjen në favor të tyre të një përfitimi të paligjshëm monetar që varionte nga 1000 deri në 3000 Euro.
Në përfundim të hetimit Prokuroria e Posaçme me datë 01.11.2022 ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykim dhe aktet në ngarkim të të pandehurve :
Gjithashtu në mbështetje të nenit 328/1, shkronja “dh” dhe 329/a të Kodit të Procedurës Penale, u kërkua pushimi i çështjes penale për shtetasin Kastriot Kreku, personi i cili ka denoncuar aktin korruptiv .
Top Channel