Policia e Kosovës ka publikuar të ashtuquajturën fletë-qortimi që do të aplikohet nga zyrtarët policorë në të gjithë territorin e vendit, përfshirë pikat kufitare.
Forcat e rendit e bënë të qartë se kanë gati të gjitha planifikimet me qëllim zbatimin e vendimit për targat. Periudha e qortimit nis pas mesnatës së sotme e vazhdon deri më 21 nëntor. Pas kësaj date sakaq, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale do të gjobiten më 150 euro. Prishtina zyrtare kishte fillimisht 31 tetorin si afat të fundit për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS- Republika e Kosovës.
Me vendimin e ri, ajo tregoi një zbutje, por jo tërheqje të plotë nga plani i vet. Sipas vendimit qeveritar, më vonë do të përdoren targat e provës dhe pas 21 prillit, në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa. Të gjithë pronarët e makinave me targa serbe, do të mund të përfitojnë nga lehtësirat e riregjistrimit të makinës me targa RKS – Republika e Kosovës – deri më 30 mars.
Pas kësaj date, riregjistrimi është i mundshëm deri më 21 prill, por pa ofruar lehtësira. Sipas rregulloreve në fuqi, çdo makinë që hyn në Kosovë i nënshtrohet akcizës, tatimit në import dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjimin e tyre se pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë. Pretendimet e këtyre të fundit ishin që qeveria e Kosovës ta shtynte me 10 muaj vendimin për targat, edhe pse besonin se Prishtina kishte të drejtë në insistimin e saj.
Top Channel