Regjisori Eduart Grishaj dha detaje të reja për filmin “Sofia” që do të transmetohet së shpejti në kinematë shqiptare ndërsa ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Wake Up”.

Teksa tregoi se disa pjesë të filmit janë xhiruar në Beograd, ai tha se do të kishte dashur që filmi të transmetohej edhe në kinematë atje, gjë që nuk është e mundur.

“Filmi do të publikohet në shumë vende të botës. Unë kam shkuar disa herë në Beograd sepse  do të kisha dëshirë të shfaqej dhe në Beograd, sepse nuk është një film nacionalist që po përbuzim shtetin tjetër”, tha Grishaj.

Edhe pas përpjekjeve dhe takimeve me distrubutorë serb që e kanë parë filmin, Grishaj thotë se filmi u ka pëlqyer por nuk mund ta transmetojnë në kinematë atje, pasi filmi është në gjuhën shqipe dhe flet për shumë të mira të shqiptarëve dhe për disa aspekte jo aq pozitive për serbët.

“Kjo do ngjallë ca media naicionaliste dhe ca njerëz që mund të ngrihen dhe ne nuk e marrim përsipër t’i futemi këtij risku”, shtoi regjisori.

Grishaj thotë se qëllimi i tij është që të krijojë një mundësi bashkimi mes dy vendeve përmes artit.

“Unë po hap një dritare të vogël me art, që tregojmë që ne mund të bashkohemi bashkë pavarësisht çfarë ka kaluar dhe mund të ecim përpara. Po mundohem të tregoj një minimum të asaj që ka bërë ‘Sofia’ para shumë viteve”, tha ai.

Në film gjithashtu është trajtuar edhe paragjykimi që të dy shtetet kanë ndaj njëri-tjetrit, ku personazhi kryesor “Sofia” do që të kthehet në Shqipëri, por familja e saj nuk e lejon, pasi e cilësojnë Shqipërinë si problematike.

“Pra unë dua të tregoj që ne kemi shumë paragjykime për serbët, serbët kanë shumë paragjykime për ne. Kjo ndodh edhe nga politika, pa komunikuar asnjëherë me njëri-tjetrin, por nëse ne komunikojmë me njëri-tjetrin mund të ecim përpara”, përfundoi Grishaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA