Negociatat e bashkimit/ Bardhi rrëzon primaret e Berishës. Kandidatët të zgjidhen me sistem pikëzimi

31/10/2022 20:07

Negociatat e bashkimit të demokratëve kanë marrë këtë fillim jave një kthesë të re.

Grupimi Alibeaj i ka dërguar një dokument parimesh grupimit Berisha ku përcaktohet mekanizmi që duhet të përzgjidhen kandidatët e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 14 majit.

Drafti që mban autorësinë e Gazment Bardhit kërkon që procesit të mos udhëhiqet nga Sali Berisha por nga një organ i ri qe quhet Këshilli Drejtues Politik i Partisë Demokratike që ngrihet në mënyrë konsensuale në nivel qendror dhe vendor.

Përzgjedhja e kandidatit të përbashkët për kryetar bashkie propozohet te bëhet përmes nje “sistemi pikëzimi” ku 50 përqind të vlerësimit i bën anëtarësia dhe gjysmën tjetër organi i ri që parashikohet të ngrihet duke hedhur poshtë në këtë mënyrë parashikimin e statutit të Berishës ku të drejtën e përzgjedhjes së kandidatëve e ka anëtarësia përmes primareve.

Kandidatët fitues përmes sistemit që propozon Bardhi miratohen me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror i cili ka të drejtën e ndërhyrjes në rast mosmarrëveshjes.

Listën e kandidatëve për këshillat bashkiak e cakton i njëjti organ, i cili është përgjegjës për organizimin e fushatës zgjedhore.

Gjashtë propozimet e plota:

1.Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin e demokratëve në nivel lokal për zgjedhjet vendore. Për këtë qëllim, duke respektuar mendimin e cilitdo për zhvillimet dhe çështjet e ndryshme brenda Partisë Demokratike, angazhohemi të krijojmë frymën e nevojshme të bashkëpunimit dhe fitores së zgjedhjeve lokale nga Partia Demokratike, duke ndërprerë dhe dënuar çdo sulm, shpifje apo gjuhe urrejtje ndaj mendimit ndryshe brenda partisë.

2.Ngritjen e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe në nivel të cdo njësie vendore, me përgjegjësi kryesore krijimin e frymës së bashkëpunimit mes demokratëve dhe garantimin e fitores së Partisë Demokratike. Këshilli Drejtues Politik siguron përfaqësimin e barabartë gjithëpërfshirës në nivel qendror dhe lokal, dhe është përgjegjës për të garantuar zbatimin e këtyre parimeve të bashkëpunimit. Përbërja e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror caktohet me mirëkuptim dhe frymë konsensuale.

3.Përzgjedhjen e një kandidati përbashkët fitues që përfaqëson gjithë Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe çdo zë opozitar në njësitë përkatëse vendore. Përzgjedhja e kandidatit të përbashkët fitues për kryetar bashkie bëhet me “sistem pikëzimi” dhe shpallet nga Këshilli Drejtues Politik. Në këtë sistem përfshihen 50 % e pikëve nga votimi sipas parimit “një anëtar / 1 votë” dhe 50 % e pikëve nga “vrojtimi i opinionit të gjerë publik” nëpërmjet sondazheve. Pas konsultimit dhe marrjes së propozimeve nga anëtar të Partisë Demokratike apo flukse të tjera opozitare, kandidatët që përfshihen në procesin e vlerësimit propozohen nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor dhe miratohen me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror. Rregullat e detajuara për zbatimin e “sistemit të pikëzimit” përcaktohen me unanimitet në Këshillin Drejtues Politik në nivel qendror brenda një jave nga nënshkrimi i këtij dokumenti. Drejtimi i proceseve në njësitë vendore bëhet me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor. Në rast mosmarrëveshje Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror ushtron “të drejtën e ndëryrjes”.

4.Përzgjedhja e kandidatëve të Partisë Demokratike për anëtar të Këshillave Bashkiak garanton përfaqësimin proporcional të të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike. Përzgjedhja bëhet me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik.5.Fushata zgjedhore drejtohet nga kandidati për Kryetar Bashkie në cdo njësi vendore, në bashkëpunim me Këshillin Drejtues Politik, që përbën Shtabin e Fushatës Zgjedhore në nivel qendror dhe vendor.

6.Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe vendor pas konstituimit të tyre i bashkohen edhe përfaqësues të partive parlamentare të tjera opozitare.

Top Channel