Bllokimi i diplomave të studentëve të mjekësisë për të mos lejuar përdorimin e tyre si pasaporta për emigrimin jashtë vendit ishte idea më e re e shprehur nga kryeministri Edi Rama, por e kundërshtuar nga aktivistët.
“Diploma e mjekut nuk mund të ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do shkosh njëherë tia kthesh popullit tënd e pastaj shko ku të duash“- ishte deklarata e Ramës.
“Vendi duhet të shndërrohet një platformë për thithjen e atyre që ikin, jo një platformë për burgosjen e atyre që duan të ikin. Mbajtja e diplomës për tre vite është absurd, diçka që prish kontratën mes studentit dhe universitetit për tu certifikuar. Ne nuk mund ta dënojmë një të ri që përfundon studimet për mjekësi e punon për një pagë 500 mijë lekë për 3 vite, ndërkohë në vendet e bashkimit europian do të mund të marr 5-fishin dhe të zhvillojë veten”- shprehet Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.
Përveç mjekëve të rinj, diploma pritet të mos u jepet për 3 vite edhe studentëve ekselentë të regjistruar në çfarëdo fakulteti apo të rinjve me mesatare mbi 8.5 që kanë zgjedhur degët prioritare të cilët pranojnë të marrin nga shteti çdo muaj një bursë në vlerën e pagës minimale.
Por çfarë mendojnë studentët? A është mbajtja e diplomës mekanizmi i duhur që ata të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të punësohen në vendet me prioritet kombëtar, apo është kjo pengesë për të ardhmen e tyre?
“Diploma është diçka që na përket neve sepse kemi punuar për të. E kam të drejtën të shkoj jashtë për sa kohë shteti nuk më ofron ndonjë gjë të madhe që të qëndroj këtu”– thotë një studente.
“Marrëdhënia patriotike apo dëshira për të qëndruar këtu ose jo varet nga gjithsecili por qeveria kushdo qoftë në pushtet duhet të investojë më shumë në sektorin mjekësor“.
Flori Ymeri, 18 vjeçari me rezultate të shkëlqyera nga Maqedonia e Veriut mes të drejtës së studimit në universitetin e mjekësisë së Tetovës, Shkupit dhe Tiranës zgjodhi të arsimohet në Shqipëri. Mirëpo edhe ai nuk priste të përballej me këtë ndryshim universitar, dhe e cilëson këtë metodë bllokimi jo të duhurën e që rrezikon të ketë efektin e kundërt, ku më shumë maturantë në këto rrethana do të zgjedhin që të trokasin jashtë vendit që pas mbarimit të gjimnazit.
Një student i kushton shtetit shqiptar përafërsisht 100 euro në muaj, teksa një pjesë të shumës e paguan vetë ai. Ndërsa një student ekselent me politikën e re arsimore e ka koston rreth 2500 euro në vit, por a është e mjaftueshme kjo shumë parash për ta detyruar në këmbim të gjejë punë në sektorin shtetëror shqiptar ? Dhe në rast mos-punësimi deri në 6 vite, sipas udhëzimit mund të tërheq diplomën dhe konsiderohet se i ka përmbushur detyrimet.
Top Channel