Rexhep Allaraj jeton vetëm me bashkëshorten në Tiranë.
“Kam 6 kalamaj, 4 ikën jashtë në Angli”, tha ai.
Ai përpiqet të sigurojë të ardhurat në moshën 65- vjeçare duke tregtuar fruta perime në një dyqan të vogël por fitimi nuk justifikon mundin, kur në shtëpi në fund të ditës çon vetëm disa qindarka.
Rexhepi tregon se njerëzit jo vetëm që janë rralluar por edhe ata që kanë mbetur këtu, kohët e fundit po blejnë më pak.
“Konsumi ka rënë përtokë… nuk ka lekë as njerëz. S’kam punonjës. Kam një muaj që e kam nxjerrë njoftimin”, tha ai.
Largimi i shqiptarëve jashtë vendit është përhapur si epidemi. Ky trend në rritje emigrimi është reflektuar menjëherë në rënien e konsumit dhe gjithashtu bizneset po vuajnë për fuqi punëtore.
Për 12 vite nga 2008-2020, më shumë se 700 mijë shqiptarë kanë marr leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian, e mijëra të tjerë qëndrojnë nëpër botë ilegalisht duke shtuar numrin e emigrantëve.
Situata paraqitet edhe më alarmante dy vitet e fundit, me krizat e njëpasnjëshme që kanë thelluar varfërinë, shqiptarët nuk e shohin të ardhmen në vendin e tyre.
Nëse emigrimi do të vazhdojë me këto ritme dhe shteti nuk ndërmerr politika frenimi, ekspertët e punësimit ngrenë shqetësimin se ky fenomen do të jetë shkatërrues për vendin.
“Do mbyllen bizneset dhe s’do ketë më investime të huaja”, tha Erion Muça.
Top Channel