Dy shpërthime me makinë-bombë në ministrinë e arsimit të Somalisë kanë lënë sot dhjetra të vrarë në kryeqytetin e vendit të rrënuar nga uria e konflikti militant në lindje të Afrikës.
2 shpërthimet thuajse të njëkohshme shkaktuan dëme të mëdha dhe thyen xhamat e ndërtesave aty pranë, thanë policia e dëshmitarët.
Shpërthimi i parë i makinës së mbushur me eksplozivë u pasua nga zjarr armësh, tha zëdhënësi i policisë Ibrahim Mohamed i cili shtoi se disa minuta më vonë ndodhi shpërthimi i dytë në të njëjtën zonë.
Dëshmitari Abdirahman Ise, tha se rruga ishte e mbushur me njerëz e automjete në kohën e shpërthimit të parë.
“Pashë tym të madh në zonën e ministrisë dhe shkatërrim masiv nga shpërthimi”, tha dëshmitari tjetër Amino Salad.
Nuk kishte ende marrje të përgjegjësisë për sulmit por grupi islamist Al-Shabaab mbetet një faktor dhune në kombin e trazuar të Kepit të Afrikës.
Militantët përpiqen të rrëzojnë qeverinë e dobët të mbështetur nga faktori ndërkombëtar, prej më shumë se 10 vjetësh në Mogadishu.
Luftëtarët militantë ishin dëbuar nga kryeqyteti prej vitit 2011 nga forcat e Unionit Afrikan, por grupi ende kontrollin zona të gjera rurale dhe ka fuqi të shkaktojë goditje të rënda ndaj objektivave civile dhe ushtarake.
Javën e kaluar grupi mori përgjegjësinë për sulmin e rëndë ndaj një hoteli në qytetin port Kismayo ku u vranë nëntë njerëz dhe u plagosën dhjetra të tjerë.
Presidenti somalez Hassan Sheikh Mohamud, i zgjedhur në maj është zotuar të luftojë militantët dhe ka nxitur banorët të largohen nga zonat e kontrolluara prej tyre.
Përveç dhunës, Somalia dhe fqinjët e saj në Kepin e Afrikës janë përfshirë nga thatësira më e rëndë në rreth 40 vjet që ka shkatërruar të mbjellat e gjënë e gjallë, duke shfarosur gjithashtu popullsinë vendase me uri e sëmundje.
Top Channel