Mijëra demonstrojnë në Pragë kundër qeverisë çeke dhe rritjes së çmimeve (fotot)

28/10/2022 18:59

Mijëra njerëz u mblodhën sot në qendër të Pragës për të protestuar kundër rritjes së çmimeve dhe qeverisë së kryeministrit Petr Fiala.

Protestuesit akuzonin qeverinë se mendon vetëm për të dërguar armë në Ukrainë, në një kohë kur inflacioni në vend ka kaluar 15 përqind.

Protesta e thirrur nga lëvizja e djathtë “Çekia e Para” vjen në ditën e festës kombëtare, kur dikur Çekosllovakia shpalli pavarësinë në vitin 1918.

Protestuesit në sheshin ikonë Wenceslas të Pragës kërkonin dorëheqjen e qeverisë me pankarta ku ministrat quheshin “diletantë”.

“Kjo është qeveria më e keqe në historinë e Republikës Çeke dhe nuk jam e vetmja që e mendon këtë,” tha protestuesja Eva Frantova për rrjetin AFP.

Ajo kritikonte kabinetin e koalicionit të kryeministrit Fiala për çmimet e larta të energjisë dhe akuzonte se i kushtonte më shumë vëmendje luftës në Ukrainë.

Çekia mban aktualisht presidencën rotacionale të Bashkimit Evropian dhe ka dhënë ndihma të shumta ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.

Frantova tha se kishte censurë qeveritare gjithnjë e në rritje, duke iu referuar mbylljes së rrjeteve pro-ruse që prej nisjes së luftës.

Policia tha se pjesëmarrja në protestë ishte disa dhjetra mijëra. Vendi me 10.5 milionë banorë po përballet me inflacion të lartë dhe rritje çmimesh prej shtatorit.

Protestuesi Vaclav Hebr, duek iu referuar çmimeve te energjisë, tha : “Nuk dua që qeveria të dërgojë armë në Ukrainë, nuk dua as të na ndihmojnë, por vetëm të në lënë të marrim frymë e të punojmë”.

FOTO GALERI
1/7
Mijëra njerëz u mblodhën sot në qendër të Pragës për të protestuar kundër rritjes së çmimeve dhe qeverisë

Top Channel