Një ditë pasi Serbia ktheu mbrapsht zv/kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, zyrtarët e Bashkimit Europian i kanë bërë thirrje të dy vendeve të arrijnë një marrëveshje, në kuadër të dialogut, dhe të përdorin zyrat ndërlidhëse për të organizuar vizitat zyrtare.
“Vizitat zyrtare luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e normalizimit të raporteve dhe mirëkuptimit midis shteteve. Është shumë e rëndësishme që këto vizita të mos politizohen”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE.
Të enjten, Bislimi u nis drejt Beogradit për të marrë pjesë në tryeza diskutimi për çështjet e dialogut Kosovë-Serbi. Por në afërsi te kryeqytetit serb, policia e e njoftoi se nuk mund të ofrojnë siguri për delegacionin e Kosovës, rrjedhimisht “siguria e tyre ishte në rrezik”.
Sipas Stanos, Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson BE-ja dhe të angazhohen në ruajtjen e paqes.
“Dy dyja palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura më herët dhe të zbatojnë detyrimet e tyre, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare”, tha zëdhënësi.
Bislimi ishte nisur drejt Beogradit në të njëjtën ditë kur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, dhe zyrtarët në Serbi, paralajmëruan se do të ketë barrikada në veri, nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon makinat dhe targat serbe.
Top Channel