Krahas vendosjes së fashës 800kWh, ERE ka rritur edhe përllogaritjen e çmimit të energjisë për këdo që e kalon këtë fashë.
Ndërsa ishte në një takim me gra e vajza në Bulqizë, Rama njoftoi se ERE kishte nxjerrë një çmim tjetër, 44 nga 42.
“E dyta që dua ta përsëris në fakt sepse e keni dëgjuar shpesh, është domosdoshmëria për t’iu mbrojtur ju dhe të gjitha familjet nga goditja e çmimit të energjisë elektrike. Ju e dini shumë mirë që nëse ju vjen një faturë energjie elektrike më e lartë se kjo që keni sot, jeta bëhet jashtëzakonisht e vështirë dhe nëse vjen një faturë energjie elektrike sa kushton realisht sot, bëhet e pamundur.
Se nëse sot, 1 kWh paguhet 9.5 lekë, imagjinoni 44 lekë. Është e pamundur. Për këtë arsye, ne kemi vendosur një mburojë financiare që gjithë diferencën e paguan shteti. E çmimi rritet, nuk ulet. Pashë sot që ERE kishte nxjerrë një çmim tjetër, 44 lekë, nga 42, prap është rritur. Megjithatë ne do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë, të bindur që kjo është gjëja e duhur, qoftë për familjarët, qoftë për çdo biznes të vogël sepse kështu ne bëjmë edhe tjetrën, mbajmë inflacionin më ulët sesa gjithë vendet e tjera të rajonit pavarësisht se çmimet janë rritur dhe këtë gjë ne nuk e ndalojmë dot se s’e ka ndaluar askush, por mund ta zbusim. Arsyeja pse po të shikoni çmimet në rajon të produkteve kryesore janë dyfishi i rritjes të produkteve tona, është në radhë të parë energjia. Po t’ia kishim rritur faturën e energjisë dyqaneve, ata do ta hidhnin barrën te ju që blini ushqime, produkte bazë dhe nga ana tjetër, kemi pasur një diskutim, ata që ju bombardojnë ju dhe gjithë popullin shqiptar me gjithë llojet e helmeve, sajesave e deformimeve e gjysmë të vërtetave që janë dhe rrenat më të mëdha, kanë filluar të bërtasin që po rriten gjobat për biznesin. Është e vërtetë.
Ne do t’i rrisim në mënyrë të ndjeshme gjobat, po jo për biznesin e vogël. Biznesit të vogël ne i mbrojmë çmimin e energjisë, nuk i marrim taksa. Thjesht i themi punëso, paguaj sigurimet për të punësuarit dhe kaq. Nuk i marrim taksa, nuk i marrim TVSH dhe nuk do t’i rrisim asnjë gjobë, por ama biznesit të madh, po. Gjobat nuk janë taksa, gjobat janë për sjellje të kundërligjshme. Mos u sill në mënyrë të kundërligjshme, s’ke pse paguan gjobë. Po kur vihet gjoba, duhet të vihet tamam, që të marrësh vesh mirë ti, të marrin vesh edhe të tjerët.
E këtë gjë na ka thënë edhe gjithë ai publik që kemi pyetur në Këshillimin Kombëtar. A duhen rritur gjobat për bizneset e mëdha? Po. E ne do t’i rrisim gjobat për bizneset e mëdha që të mos bëjnë shmangie nga taksat sepse duke shmangur ata taksat dhe duke bërë lodra me faturat, ne kemi më pak të ardhura për të mbështetur ata që kanë më shumë nevojë,” -theksoi Rama.
Top Channel