Burri shpëtohet mrekullisht nga peshkatarët pasi mbijeton 2 ditë në sinjalin pluskues detar në ngushticën me Francën (fotot)

28/10/2022 17:35

Një britanik të cilit iu përmbys kajaku i tij teksa tentonte të kalonte ngushticën drejt Francës, është shpëtuar mëngjesin e sotëm kur peshkatarët e gjetën të kapur pas një sinjali detar pluskues.

Vozitësi 28 vjeçar kishte mbijetuar mrekullisht për 48 orë në det duke ngrënë barishte, pasi ishte nisur nga porti i Dover dhe kishte hasur probleme në korridorin e ngarkuar detar të trageteve.

Ai u shpëtua nga ekuipazhi i peshkarexhës holandeze ‘De Madelaine’, raportonin mediat e atjeshme duke shtuar se ishte dërguar në spital.

Kapiteni i anijes Teunis de Boer e kishte pikasur të në ujë mëngjesin e sotëm.

“Desha të sigurohesha që të mos afrohesha shumë ndaj sinjalit, por pashë diçka të çmendur që lëvizte pranë tij”, tha ai për mediat vendase.

De Boer kishte marrë më tej dylbitë dhe u habit kur pa britanikun e panikosur e të ezauruar nga lodhja, i veshur vetëm me rrobabanje, që “tundte duart si i çmendur” shkruante e përditshmja holandeze De Telegraaf.

Megjithë detin e keq, ekuipazhi lëvizën shpejt për ta shpëtuar, duke i hedhur një kamerdare në ujë. Me fuqitë e tij të fundit, burri arriti ta kapte dhe nisi të afrohej te barka.

Burri vuante nga hipotermi e rëndë që mund t’i kishte kushtuar jetën, shkruan rrjeti Het Urkerland.

“Ai kishte gjithashtu gërvishtje, ishte i dehidratuar dhe me sytë thellë në gropat e tyre”, tha kapiteni De Boer.

Ekuipazhi e mbështollën burrin me batanije dhe i ofruan pije të nxehta.


Burri raportohet se është dërguar me helikopter në spitalin franceze të Boulogne-sur-Mer ku raportohet në gjendje jo të mirë, por mund të flasë.

Kanali i ngushticës Pas de Calais është nga linjat detare më të ngarkuara në botë, me më shumë se 400 anije që e kalojnë çdo ditë, prandaj autoritetet paralajmërojnë kundër kalimeve me mjete të papërshtatshme.

FOTO GALERI
2/9
Peshkatarët e gjetën të kapur pas një sinjali detar pluskues.

Top Channel