Belind Këlliçi zyrtarizon kandidaturën për të garuar në primaret e PD për zgjedhjet e 14 majit, për Bashkinë e Tiranës.
Vetë Këlliç shpalli kandidaturën për të marrë pjesë në primare, ndërsa renditi një sërë arsyesh që e cuan të marrë këtë vendim.
“Tirana ka nevojë dramatike për ndryshim. Unë besoj se Bashkia Tiranë është shfrytëzuar për shumë vite nga Erion Veliaj, për pasurim të jashtëligjshëm me taksat e qytetarëve, gjobat, tenderat, lejet për ndërtim dhe inceneratorin. Veliaj e ka shfrytëzuar detyrën e kryebashkiakut të Tiranës për të blerë mbështetje politike brenda Partisë Socialiste. Në dy mandate, ai ia ka dalë që, me anë të propagandës dhe kontrollit të medias, të na imponojë një pamje false të qytetit. Me instalimin e modelit “puna dicka, dukja gjithcka”, Veliaj e ka dëmtuar rëndë qytetin.
Së dyti, si banor i Tiranës, si bir, lindur e rritur në këtë qytet, dhe si një shqiptar që është kthyer këtu për të jetuar pranë familjes, e kam të papranueshme të mbetem një dëshmitar okular i kësaj katastrofe dhe të lejoj që Tirana të privatizohet, çdo ditë e më shumë nga mafia e ndërtimit dhe pastrimit të parasë. Me ndihmën e Veliajt, mafia e betonit në Tiranë u shet shqiptarëve apartamente më shtrenjtë se kudo në Europën e afërt. Të rinjve u duhen tri jetë për të blerë një apartament dhe për të krijuar familje. Çmimet e larta të apartamenteve në Tiranë i kanë skllavëruar shqiptarët në kredi, në borxhe, deri në pikën që janë të gatshëm të paguajnë para vetëm për t’u larguar nga vendi i tyre.
Së treti, unë kandidoj në këto primare për të zgjedhurit vendorë, pasi besoj se për të administruar Tiranën duhet të fitosh si fillim besimin e forcës politike ku aderon, të antarëve dhe simpatizantëve të saj. Jam kundër modelit të emërimit nga kryetari i partisë, sepse e gjykoj si një model të dështuar dhe korruptiv.
Së katërti, unë nuk kam asgjë për t’u turpëruar dhe jam krenar për rrënjët e mia, për familjen time, për zgjedhjet që kam bërë në jetë, për të kaluarën dhe të tashmen time.
Së pesti, Tirana është shtëpi e dytë për studentët nga e gjithë Shqipëria. Nuk meritojnë mijëra të rinj e të reja të cilësohen nga kryebashkiaku si “njerëz pa rrënjë, që nuk do kthehen aty nga kanë ardhur”.
Së gjashti, Tirana duhej të gëlonte nga energjia e gati 1 milionë banorëve, duhej të ishte një qytet vital ku secili të ecte përpara me kushtet që bashkia krijon, me lehtësitë që pushteti vendor duhej të ofronte.
Së fundmi, vendosem në dispozicion të plotë të Partisë Demokratike, demokratëve të Tiranës dhe koalicionit të Opozitës së Bashkuar, për t’i përfaqësuar me dinjitet në garën e primareve. Mbështetja juaj për mua është besa që më jepni, dhe me besë do t’jua kthej”, u shpreh Këlliçi nga selia e PD.
Top Channel