Pesë shqiptarët e dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Tomasz Wag i mohojnë të gjitha akuzat para gjykatës londineze.

Waga u gjet i vrarë në Cardiff, në 28 janar 2021, ndërkohë që gjykata vazhdon hetimet për ekzekutimin e tij.

Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se i riu, së bashku me një tjetër shtetas, Carl Davies po tentonin të hynin në një pronë në Newport Road ku kultivohej drogë, për të vjedhur bimët narkotike. Ata janë identifikuar nga anëtarët e bandës shqiptare që kultivonte kanabisin që arrinte një vlerë rreth 120 mijë paund.

Shtetasit shqiptarë dhunuan Wagan dhe më pas dyshohet se e kanë futur në makinë, i kanë marrë paratë dhe sendet personale, për ta nxjerrë më pas nga mjeti dhe për ta lënë të vdekur në rrugë.

Në çështjen që u hap sërish këtë të mërkurë, prokurori Greg Bull KC tha se në vitin 2020, “një bandë e organizuar kriminale me shtetas shqiptarë themeloi një fabrikë të rritjes së kanabisit në një zonë rezidenciale të Cardiff-it… Ishte një organizim i mirë. Ajo ishte aq e suksesshme dhe fitimprurëse sa anëtarët e bandës ishin të përgatitur për ta mbrojtur me çdo kusht”.

Me qëllimin për të mbrojtur prodhimin e tyre, ata ndërmorën veprimin ekstrem pikërisht mbrëmjen e 28 janarit kur vranë Tomasz Waga-n që kishte për qëllim të vidhte kanabisit nga fabrika në Newport Road.
Waga pësoi 25 lëndime në kokë dhe gojë, mavijosje në gjoks, dëmtime në tre brinjë, lëndime në krahë dhe ënjtje në tru. Ndërsa Davies arriti të arratisej duke u fshehur pas një muri kishe aty pranë.

Megjithatë, pesë të akuzuarit, Gledis Mehalla, Mihal Dhana, Mario Qato, Josif Nushi dhe Hysland Aliaj mohojnë vrasjen e të riut, ndërsa gjyqi ndaj tyre vazhdon.

Top Channel