Tragjike në Britani! Gruaja vret dhe masakron trupin e shoqes së saj për t’i marrë trashëgiminë

27/10/2022 18:12
Autorja Jemma Mitchell

Një grua është shpallur fajtore për vrasjen dhe prerjen e kokës së shoqes së saj me qëllim që t’i merrte paratë.

Jemma Mitchell, 38 vjeç është akuzuar pasi vrau Mee Kuen Chong dhe më pas e hodhi trupin e  saj pa kokë më shumë se 200 milje larg në Devon në mënyrë që të merrte qindra mijëra paund.

Terapistja Mitchell e goditi 67-vjeçaren në kokë me një armë në shtëpinë e saj në Londër dhe e preu trupin e saj e më pas e la në Salcombe, dy javë më vonë.

Prokuroria pretendoi se Mitchell kishte planifikuar ta vriste dhe të falsifikonte testamentin e saj për të trashëguar pjesën më të madhe të pasurisë, e cila vlente më shumë se 700 000 paund, sipas Sky News.

Mitchell mohoi se kishte ndonjë lidhje me vdekjen e saj dhe nuk pranoi të jepte dëshmi në gjyqin e saj në Old Bailey.

Viktima

Gjatë gjyqit, juristët panë pamjet e kamerave të Mitchell duke mbërritur në shtëpinë e Chong duke mbajtur një valixhe të madhe blu, në të cilën dyshohet se do të fuste trupin, në mëngjesin e 11 qershorit të vitit të kaluar.

Më shumë se katër orë më vonë, ajo doli nga prona në Wembley, në veriperëndim të Londrës, me valixhen, e cila dukej më e rëndë.

Prokuroria tha se në pamje  Mitchell dukej se po luftonte për të mbajtur valixhen.

Pasi fqinja e Chong raportoi për zhdukjen e saj, Mitchell pretendoi se ajo kishte shkuar për të vizituar miqtë e familjes.

Prokuroria sugjeroi se Mitchell i kishte prerë kokën Chong dhe i kishte ruajtur mbetjet e saj në kopshtin e shtëpisë që ajo ndante me nënën e saj pensioniste në Willesden, në veriperëndim të Londrës.

Më 26 qershor të vitit të kaluar, Mitchell e vendosi trupin brenda në valixhe në bagazhin e një makine me qira dhe u nis për në Devon.

Trupi pa kokë i zonjës Chong u gjet nga pushuesit pranë një pylli në Salcombe të nesërmen.

Një ekzaminim pas vdekjes konfirmoi se Chong kishte pësuar një frakturë të kafkës së bashku me lëndime të tjera.

Gjykata zbuloi se Mitchell dhe Chong u takuan në kishë dhe kishin shkëmbyer disa mesazhe rreth rinovimit të shtëpisë së Mitchell në Willesden.

Juristët thanë  se Mitchell planifikoi ta vriste Chong pasi ajo u tërhoq për t’i dhënë asaj 200 000 paund për të paguar riparimet për shtëpinë e rrënuar të familjes së Mitchell-it.

Pasi kufoma e saj u zbulua, policia gjeti një testament të falsifikuar të zonjës Chong ku i linte pjesën më të madhe të pasurisë së saj Mitchell.

Mitchell ndodhet në paraburgim dhe pritet të dënohet të premten.

Top Channel