Industria e përpunimit të qumështit kërkoi që pjesë e paketës së re fiskale të bënte pjesë dhe heqja e taksave të hirrës dhe kremit të qumështit, prej të cilave përgatitet bulmeti.
Edhe pse një gjë e tillë nuk u miratua një ditë më parë, kjo nuk do të thotë se prodhuesit e mëdhenj të bulmetit nuk do të tentojnë sërish.
Skema që dëmton prodhuesit e qumështit vendas, është lënë mënjanë momentalisht, por Top Channel ka mësuar që ajo do të futet në Paketën e Re Fiskale kësaj herë si propozim i deputetëve. Lobimet e biznesit në kurriz të fermerëve do të kalojnë nga qeveria në parlament.
“Mungesa e qumështit ka drejtuar fabrikat tek këto lëndë që janë të ligjshme por që në të vërtetë këtu vendoset në diskutim dhe sasia që përdoret. Hirra dhe kremi i qumështit po vrasin blegtorinë në kohën që ne duhet të mbështetemi“, tha Ervin Resuli, ekspert I sigurisë ushqimore.
Ekspertët e bujqësisë që jemi ende në kohë për të shpëtuar sektorin e blegtorisë.
“Hirra e qumështit e vret blegtorinë. Për të shtuar numrin e gjësë së gjallë është momenti që të mbështesim fermerin duke i dhënë subvencionim lekë për litër qumësht,dhe lekë për kilogrami mish që do të dorëzohet për treg. Subvencionimi për kokë lopë është I gabuar“ , tha Zef Gjeta, ekspert i sigurisë ushqimore.
Tkurrja e blegtorisë, në vendin tonë ka shkaktuar krizë qumështi dhe mishi. Nëse i referohemi të dhënave nga INSTAT vetëm brenda 4-vjeçarit të fundit Shqipëria ka gjysmë milioni dhi, si dhe 100 mijë krerë lopë më pak.
Mungesa e qumështit vendas, rriti çmimin e bulmetit. Përgatitja e gjalpit, kosit, djathit me qumështin e importit dhe hirrën e qumështit rriti çmimin e bulmetit ku 1 kg gjalpë kushton 1400 lekë, ndërsa djathi blihet me 1000-1200 lekë.
Blegtorët kanë hequr dorë nga mbarështimi i gjësë se gjallë sepse në kohën kur industria e përpunimit të qumështit 1 litër qumësht e blinte tek fermeri më lirë se 1 litër uji, Ministria e Bujqësisë vendosi të mos e mbështesë fermerin me politikat e duhura bujqësore, siç është subvencionimi lek për litër qumësht.
Nëse ne do të vazhdojmë të sillemi kështu me blegtorët, rrezikojmë t’i themi përgjithnjë mirupafshim qumështit të freskët vendas.
Top Channel