Për tre ditë radhazi, sheshi “Skënderbej” do të jete i mbushur me stendat e 500 fermerëve që kultivojnë produkte vendase.

Edicioni i pestë i Panairit agroushqimor “Shijo produktet lokale të Tiranës”, synon të promovojë produktet bujqësore dhe blegtorale, por edhe ato artizanale.

“Është shumë kollaj të bësh llafe, i keni parë ca nëpër ekrane, kur japin mend për gjithçka, por sot ne nuk na duhen ata që japin mend, na duhen ata që prodhojnë punë, ata që ndërtojnë sera, ata që mbushin tavolinat dhe ata që jetojnë me punë të ndershme. Nuk besoj se ka kartolinë më të bukur për sheshin “Skënderbej” se sa 500 sipërmarrjet e punës së ndershme, nga e gjithë Shqipëria dhe trojet tona”, tha Veliaj.

Së shpejti tha Veliaj të gjithë fermerët do të shpëtojnë nga makthi i taksave të privatit në tregun agroushqimor.

“Për herë të parë, pas kaq shumë vitesh, po ndërtojmë tregun publik të shumicës, pa pagesë, për të gjithë ata që prodhojnë në Tiranë dhe në Shqipëri. Për herë të pare çlirohemi nga inflacioni, duke blerë shqip, por çlirohemi edhe nga taksa e privatit për çdo arkë, duke krijuar për herë të parë tregun agroushqimor të shumicës për publikun, për njerëzit që punojnë, pa taksën që të vështirëson dhe të rrit çmimin. Nga kjo fitojnë ata që shesin sepse nuk do kenë nevojë të paguajnë ndërmjetësin, do fitojnë dhe ata që blejnë, se taksa e ndërmjetësit nuk do iu llogaritet tek ushqimi”, u shpreh Veliaj.

Ndonëse Tirana është e mbushur me turistë nga e gjitha bota, reklamën më të mirë sipas kryebashkiakut për vendin dhe produktet tona mund ta bëjnë vetëm shqiptarët.

“Ndaj, ju lutem këto tre ditë blini shqip, konsumoni shqip, përqafoni shqip, dashuroni shqip, se është e vetmja mënyrë për të kaluar këtë sfidë të luftës”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA