Ishte në kërkim për sasinë e kokainës në portin e Durrësit, sekuestruar në 2019, arrestohet nga policia Gentian Malindi.
Gazetarja Dorjana Bezat tha për Top Channel se Malindi u arrestua në Vorë nga policia e Tiranës. Malindi u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Kuito”, ndërsa zyrtarisht policia tha se qarkullonte me dokumente identifikimi të falsifikuara. Biznesmeni u shpall në kërkim si porositësi i 137 kilogramëve kokainë të sekuestruara në portin e Durrësit në vitin 2019.
Pakot me kokainë ishin nisur nga Ekuadori drejt Shqipërisë. Pakot të izoluara edhe me pjesë gome ishin ndarë në 4 kontenierë frigoriferike që transportonin banane. Pikërisht gjatë ndërhyrjes në Pire pasi kanë kërkuar edhe specialistë kundër krimit të organizuar në Shqipëri, është vendosur që udhëtimi i ngarkesave të vazhdojë dhe përveç GPS të trafikantëve janë shtuar edhe GPS nga hetuesit.
Pikërisht aty në një grup të ngushtë hetuesish ku u përfshinë si hetues edhe shqiptarët, kokaina ku shkruhej lart BAR BUS pasi u peshua dhe ishte 137 kg , u zëvendësua më së shumti me oriz të presuar pasi i përafrohej formës që kishin pakot e drogës. Ndërsa 17 të tjera janë zëvendësuar me gips. Ndaj Malindit gjykata pezulloi cështjen për një vit për shkak se ishte në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Kuito”, për goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.
Vihet në pranga 46-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, i cili qarkullonte me dokumente identifikimi të falsifikuara.
46-vjeçari, me masë sigurie “Arrest në burg”, pasi dyshohet si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se do të trafikonte drejt Shqipërisë, 137 kg lëndë narkotike kokainë, në vitin 2019.
Sekuestrohen shuma parash, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, që ky shtetas i mbante me vete, si dhe automjeti i tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe të Krimit Ekonomik, të DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Në afërsi të Urës së Gjolës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe arrestuar shtetasin G. M., 46 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. M., për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi qarkullonte me dokumente identifikimi kosovare, të falsifikuara.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Kuito”.
Operacioni ndërkombëtar i koduar “Kuito” u finalizua në shtator 2019, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese greke, në koordinim me zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Shtetasi G. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës (të arrestuar në shtator 2019), do të priste në Durrës, 137 kg lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua gjatë operacionit.
Top Channel