Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë firmosur sot marrëveshjen elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Në marrëveshjen me 6 pika, dy aleatët tashmë në opozitë dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson sipas tyre, vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.
Në marrëveshjen e firmosur, palët dakordësohen që konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, ndërsa Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.
MARRËVESHJE
Ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë,
për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023
Sot, me datë 27 tetor 2022, ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, firmosim marrëveshjen që vijon, pas konstatimit se Shqipëria është në momente kritike:
për shkak të korrupsionit shkatërrimtar;
të asgjësimit të pluralizimit politik në nivel vendor;
të shpopullimit masiv dhe tragjik;
të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin;
të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe korrupsioni.
Në këto kushte, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia e Lirisë, dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.
Vendosin:
Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.
Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.
Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.
Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat
Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.
Për Partinë Demokratike Për Partinë e Lirisë
Kryetar Kryetar
Sali BERISHA Ilir META
Top Channel