Balaklia ishte një nga vendet e para që forcat ruse pushtuan në Ukrainë. Por, pak ditë pasi Kievi intensifikoi kundërofensivën në shtator, ushtarët rusë u tërhoqën nga qyteti i vogël në lindje të vendit.
Forcat ruse u larguan me nxitim, duke lënë pas mijëra dokumente në një objekt që shfrytëzohej si bazë ushtarake. Dëshmitë e gjetura aty hedhin më shumë dritë mbi një nga disfatat më të rënda në fushëbetejë të presidentit rus Vladimir Putin dhe vështirësitë me të cilat po përballet ushtria ruse në luftën me Ukrainën.
Ushtarët rusë u larguan nga qyteti ukrainas Balaklia javë më parë, por gjurmët e tyre kanë mbetur kudo.
Kjo ndërtesë, që duket se është braktisur me nxitim, përdorej nga forcat ruse si bazë ushtarake gjatë kohësqë kishin nën kontroll qytetin e vogël buzë lumit në Ukrainën lindore.
Aty, agjencia e lajmeve Reuters gjeti mijëra dokumente që zbulojnë hollësi mbi çështjet e brendshme të ushtrisë ruse, si koordinatat e njësive të zbulimit, të dhënat e thirrjeve të komandantëve, detajet e betejave dhe emrat e ushtarëve të vrarë e pajisjeve të shkatërruara.
Si dhe rrëfime për rënie të moralit dhe humbje të disiplinës mes ushtarësh.
Dokumentet hedhin dritë mbi ngjarjet që çuan në një nga humbjet më të rënda të presidentit Vladimir Putin në fushën e betejës: tërheqjen kaotike të forcave ruse nga verilindja e Ukrainës në shtator.
Sipas dëshmive disa javë para disfatës në qytetin që e pushtuan në fillim të marsit, trupat ruse kishin probleme me pajisjet elektronike, duke përfshirë ato të vëzhgimit. Dronët, nga ata që blihen në treg, drejtoheshin nga ushtarë që ishin pothuajse të patrajnuar.
Ndërsa pajisjet e tyre për bllokimin e komunikimeve ukrainase shpesh nuk funksionin.
Në fund të korrikut, oficerët rusë ishin të bindur se forcat ukrainase po përgatisnin një kundërofensivë “për të marrë kontrollin e qytetit Balaklia”, tregojnë dokumentet.
Komanda në këtë qytet kërkoi shtimin e trupave. Por të dhënat e 30 gushtit tregojnë se forca po vepronte me vetëm 71 për qind të kapacitetit të saj.
Një dokument tjetër tregon se trupave ruse u kishin mbetur vetëm katër sisteme antitank, nga 24 që kishin në fillim të sulmit.
Nga fundi i gushtit, komanda ruse u dobësua nga vdekjet, dezertimet dhe frika e madhe tek ushtarët.
Dokumentet zbulojnë edhe efektivitetin në rritje të forcave ukrainase. Pak javë para tërheqjes së tyre, forcat ruse rreth Balaklias, po sulmoheshin ashpër nga sistemi preciz i raketave HIMARS, të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara.
Për të verifikuar vërtetësinë e dokumenteve, agjencia Reuters vizitoi pesë baza të braktisura ushtarake në verilindje të Ukrainës, në bazë të koordinatave të gjetura në këtë bazë.
Në secilin rast, banorët lokalë konfirmuan vendndodhjen e forcave ruse.
Agjencia intervistoi edhe pesë ushtarë që kishin shërbyer në bazën e Balaklias.
Njëri prej tyre përshkroi ndjenjën e frikës që kishte pushtuar rusët, ndërsa sulmet ukrainase po ashpërsoheshin.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve rreth dokumenteve brenda bazës në Balaklia, e cila shfrytëzohej edhe si qendër ndalimi për ushtarët e kapur ukrainas. Por aty u ndaluan edhe civilë, thonë banorët.
Drejtoresha e një shkolle, Tetiana Tovstokora thotë se ajo u mbajt atje për disa ditë.
“Na çuan në katin e parë. Çfarë përjetimi. Por ne jemi të pamposhtur, jemi ukrainas. Do të mbetemi ukrainas dhe të fortë”, thotë ajo.
33 vjeçarja Albina Strilets, koordinatore logjistike për shërbimet e urgjencës, thotë se ajo dhe gratë e tjera u ndaluan për vetëm një arsye, sepse ishin “pro-ukrainase”.
Ajo thotë se të burgosur të tjerë ishin rrahur e përdhunuar.
“Për të mos dëgjuar britmat hapëm kapakun e tualetit dhe lëshuam ujin që të rridhte pa ndërprerje. Zhurma e ujit na largonte vëmendjen nga britmat e tmerrshm që vinin nga qelitë e tjera”, thotë zonja Strilets.
Rusia thotë se forcat e saj nuk kanë në shënjestër civilët dhe i ka mohuar akuzat për brutalitet.
Kundërofensiva e Ukrainës filloi të intensifikohet më 6 shtator.
Katër ditë më vonë, Rusia njoftoi se kishte braktisur Balaklian dhe qytetin fqinj të Iziumit, në atë që e quajti një “rigrupim” të planifikuar paraprakisht për të sulmuar Donetskun.
Në bazën e dëmtuar nga bombardimet u gjetën edhe shënimet e një ushtari të panjohur, i cili duket se po ëndërronte për të ardhmen e tij dhe kthimin në shtëpi në një qytet afër kufirit rus me Kinën, mijëra kilometra larg qytetit Balaklia.
Top Channel