Brenda pak orësh tre persona humbën jetën në tre aksidente të ndryshme në Lushnjë dhe Fushë Krujë.
Pasditen e kësaj të mërkure një 20 vjeçar nuk i mbijetoi përplasjes pasi makina me të cilën udhëtonte doli nga rruga.
Dy aksidentet e tjera ndodhen në Lushnjë, Aferdita Rasti 50 vjeç nga Kallmi i Fierit udhëtonte e vetme me motor ndërsa nga pas e shoqëronte bashkëshorti me automjet. Ajo është përpjekur të devijojë një gropë në mes të rrugës dhe kjo manovër ka bërë që të humbasë kontrollin duke u përplasur në betonin e kanalit në anë të rrugës.
Goditja ka qenë e fortë në kokë ku si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Viktima udhëtonte pa kaskë mbrojtëse të cilën nëse do ta kishte mund t’i kishte shpëtuar jetën.
Më herët në një tjetër aksident ne autostradën Lushnjë-Fier pranë fshatit Bishqethem, një motoçikletë e cila drejtohej nga Qemal Shala ka goditur nga pas një zetor. Goditja ka rezultuar fatale për drejtuesin e motoçikletës i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ne vendngjarje shoqëroi drejtuesin e zetorit, Josif Pina.
Ky aks është shpesh herë burim aksidentesh nga mjetet bujqësore. Edhe pse nuk është e lejueshme që këto mjete të dalin në rrugë, mungesa e një rruge dytësore bën që fermerët të detyrohen të kalojnë në aksin e makinave.
Top Channel