Stoltenberg: Rusia s’duhet të përdorë pretekste të rreme për përshkallëzim të luftës

26/10/2022 16:56

Akuzat e Rusisë se Ukraina po përgatitet të përdorë një “bombë me element radioaktivë” janë “tërësisht të rreme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari Stoltenberg foli të martën, gjatë një vizite në aeroplanmbajtësen U.S.S. George H.W. Bush e cila po merr pjesë në një stërvitje të NATO-s në Detin Adriatik.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se retorika bërthamore e presidentit rus Vladimir Putin është “e rrezikshme, e pamatur dhe e papërgjegjshme”.

“Përdorim i armës bërthamore në Ukrainë do të ndryshojë rrënjësisht natyrën e konfliktit. Presidenti Putin, Rusia, e di se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Dhe ata gjithashtu e dinë, se do të kishte pasoja të rënda”, tha zoti Stoltenberg.

Ai shtoi se aleatët e NATO-s e hedhin poshtë pretendimin e rremë të Rusisë, një vend që shpesh akuzon të tjerët për atë që synon të bëjë vetë.

“Ne e kemi parë këtë të ndodhë më parë, që nga Siria në Ukrainë. Rusia nuk duhet të përdorë pretekste të rreme për përshkallëzim të mëtejshëm. Bota po e ndjek situatën nga afër”, tha zoti Stoltenberg.

Shefi i NATO-s përshëndeti sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit, duke thënë se ai po ndihmon ushtarakisht Rusinë.

“Në ditët e fundit kemi parë gjithashtu Iranin të mbështesë përpjekjet ruse në luftë. Kjo është e papranueshme. Asnjë vend nuk duhet të ndihmojë një agresor në një luftë të paligjshme. Përshëndes faktin që aleatët dhe Bashkimi Evropian po zbatojnë sanksione të forta ndaj Teheranit”.

Komentet e tij erdhën në të njëjtën ditë kur operatori i energjisë bërthamore i Ukrainës tha se forcat ruse kanë kryer punë sekrete në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë.

Kompania “Energoatom”, e cila operon katër termocentralet bërthamore të Ukrainës, tha se forcat ruse kanë kryer punë sekrete gjatë javës së fundit në termocentralin bërthamor të pushtuar të Zaporizhias.

Energoatomi tha të martën se “dyshon” se rusët po përgatisin “një akt terrorist, duke përdorur materiale bërthamore dhe mbetje radioaktive” të depozituara në central.

Ai shtoi se shkatërrimi i depozitave të karburantit bërthamor të konsumuar, do të çonte në një aksident rrezatimi dhe ndotje radioaktive në një sipërfaqe prej disa qindra kilometrash katrorë./ Zëri i Amerikës

Top Channel