Rrjedhje gazi janë raportuar në një fabrikë të Porto Romanos në Durrës. Disa banorë janë evakuuar nga zona.
Të alarmuar nga situata që mund të dalë jashtë kontrollit, prindërit kanë kërkuar të marrin dhe fëmijët nga shkolla 9-vjeçare “Met Hasa”, e cila në këto rrethana ka ndërprerë procesin mësimor.
Në të gjithë zonën, ndihet e fortë dhe mbytëse era e gazit, ndërsa ka mbërritur dhe një autoambulancë pranë fabrikës. Shërbimi zjarrfikës është po ashtu në gatishmëri. Deri më tani nuk sipas njoftimit të policisë nuk ka asnjë person të dëmtuar.
Shefi i komisariatit të Durrësit, Vilson Bala ndodhet në vendngjarje, ndërsa ekspertët dhe grupi hetimor janë jashtë ambienteve të fabrikës, pasi është e pasigurt këqyrja e vendit.
Sipas gazetares së Top Channel, Vali Qyrfyçi ende nuk është vënë nën kontroll plotësisht rrjedhja e gazit.
Një nga banorët tregon se djalin e dërgoi në mëngjes në shkollë dhe e mori në spital, pasi pati probleme me frymëmarrjeën pas rrjedhje së gazit.
“Isha në punë. Më marrin në telefon nga shkolla, më thanë hajde se i është. Sa vij nga puna, e gjej çunin te spitali, tani sa dola. Por kështu është për natë, nuk është vetëm sot. Çdo natë ka rrjedhje, nga ora 7 deri në 9 të darkës. Nuk e di çfarë bëjmë, por era mbyt”.
Më 18 qershor të këtij viti, në depozitat e fabrikës së gazit që ndodhet në një zonë të banuar ra zjarr dhe për disa ditë rresht banorët kërkuan mbylljen e fabrikës. Në zonë kanë shkuar dhe efektivë të policisë.
Të shqetësuar për sigurinë e jetës dhe të ardhmen e fëmijëve, banorë të Porto Romanos kanë protestuar pas incidentit që ndodhi të në fabrikën e gazit në Durrës, duke kërkuar nga autoritetet një zgjidhje të shpejtë të situatës. Shumë familje që jetojnë pranë fabrikës ndjehen të rrezikuar për bashkëjetesën kritike me të.
Njoftimi policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 12:30, në Porto Romano, dyshohet se si pasojë e dëmtimit të një cisterne gazmbajtëse të një biznesi (firmë) privat, është çliruar në ajër, një sasi e vogël gazi.
Nga kjo ngjarje nuk ka shtetas të dëmtuar.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel