Protestoi kundër racizimit në ndeshjen ndaj shqiptarëve, dënohet trajneri!

26/10/2022 11:33

Racizimi vijon të mbetet një temë e nxehtë në botën e futbollit që herë pas herë shfaqet në versionin e tij më të shëmtuar. Kështu ka ndodhur edhe në Hungari në ndeshjen mes Zalaegerszegi-Honved.

Sfida që përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultatin 0-2, ku pjesë e Honved janë edhe dy shqiptarët Albi Doka e Herdi Prenga (Doka luajti 90 minuta) u “nxi” nga racizimi që shfaqi në tribuna tifozeria mike.

Ata nisën të bënin imitime të majmunit sa herë disa nga lojtarët me ngjyrë të Zalaegerszegi preknin topin. I gjendur para një situate të vështirë, trajneri i skuadrës, Ricardo Moniz nuk mund të qëndronte “duarkryq”. Holandezi protestoi fillimisht te arbitri i katërt dhe më pas vendosi të futej në fushë për të marrë vëmendjen e duhur.

“I kërkova arbitrit të katërt disa herë që të ndalonte lojën, por nuk më dëgjoi. Më pas vendosa të hyja dy metra në fushë pasi nuk kishte mënyrë tjetër dhe u ndëshkova me karton të kuq prej kësaj. Kisha mbështetjen e të gjithë stafit”, u shpreh Moniz. Por, holandezi edhe pse ishte autor i një veprimi të drejtë, në Hungari kanë vendosur ta pezullojnë dhe Moniz nuk do të jetë në stol për katër ndeshjet e radhës duke e mbyllur në tribuna këtë vit.

Sakaq, drejtori sportiv i Zalaegerszegi, Attila Dragoner theksoi se është i zhgënjyer për vendimin mbi pezullimin e trajnerit të skuadrës. “Na vjen shumë keq që Moniz nuk do të ulet në stol për katër ndeshjet e radhës, por mund të them se ai ka mbështetjen e të gjithë stafit dhe lojtarëve”./ Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA