Pasaportat e arta janë kthyer në kthyer në mollë sherri mes Shqipërisë dhe BE-së, që konsideron se ky projekt duhet ndaluar pasi paraqet rreziqe te mëdha për ekonominë por edhe sigurinë.

Në raportin e progresit 2022, Bashkimi Europian e shprehu qartazi qëndrimin kundër pasaportave të cilat i jepen një shtetasi të huaj që investon një shumë të caktuar parash në vend.

Nisma nuk është finalizuar ende në vendin tonë, por ka ngjallur tashmë diskutime të mëdha. “Në lidhje me ‘pasaportat gold’ [të arta], mendoj se raporti është i qartë. Sigurisht që BE-ja e respekton sovranitetin e cilitdo shtet për të vendosur për skemat e nënshtetësisë, por, duke pasur parasysh realitetin dhe agresionin rus në Ukrainë, kjo skemë do të vinte në pah disa rreziqe”, deklaroi ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann, e cila kujtoi se, në muajin mars, Komisioni Evropian u rekomandoi shteteve anëtare që t’u japin fund skemave të këtij lloji.

Në Raportin e Progresit për Shqipërinë, të përpiluar nga Komisioni Evropian, thuhet: “Skema të tilla paraqesin rreziqe në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe janë të papajtueshme me legjislacionin e BE-së. Si vend kandidat [për anëtarësim në BE], Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të tillë”.  Në muajin gusht, të gjitha këto shqetësime i përcolli edhe zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero-Hernandez. REL citon ekspertë vendas të pohojnë se shqetësim kryesor i BE-së janë oligarkët rusë, që mund të gjejnë strehë në Shqipëri.

Shqetësimi i parë i BE-së, edhe pse nuk artikulohet zyrtarisht, lidhet me oligarkët rusë, që po përpiqen të ikin nga vendi i tyre, nga agresioni i [presidentit rus, Vladimi] Putin mbi Ukrainën dhe po gjejnë strehë në Malin e Zi, që është vendi i preferuar i tyre. Por, Shqipëria është në kufi, kështu që së shpejti mund të gjejnë strehë edhe këtu”, thotë Fatos Çoçoli.

Investimet e huaja në Shqipëri janë të përqendruara kryesisht në sektorin e naftës dhe energjetikës, por edhe në atë bankar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA