I ndërprenë aktivitetin e biznesit/ Shehaj: Gjykata vendosi në favor të Ramës, beteja ligjore do vazhdojë deri në Strasburg

26/10/2022 17:21

Gjykata Administrave ka rrëzuar kërkesën e deputetit Agron Shehaj, lidhur me shfuqizimin e aktit të ndërmarrë nga policia për bllokimin e pallatit gjashtë katësh në Tiranë i cili dyshohet se është pa leje, pallat në të cilin deputeti demokrat zhvillonte aktivitet biznesi në njërën nga zyrat e kësaj godine.

Pas këtij vendimi të gjykatës, ka reaguar deputeti Agron Shehaj, i cili ka deklaruar se Gjykata ka vendosur në favor të Ramës dhe se kjo betejë ligjore do të vazhdojë deri në Strasburg.

Me anë të një postimi në “Facebook”, ai është shprehur se nuk do të tërhiqet e nuk do të bjerë pre e shantazhimeve dhe sipas tij gjyqi i sotëm ishte thjeshtë një farsë e Ramës ku Policia fitoi pa paraqitur asnjë provë, urdhër apo akt para gjykatës.

“Gjykata sapo vendosi në favor të Edi Ramës. Në këtë vend kur verdiktin e jep kryeministri, nuk ka asnjë njeri tjetër që ta kundërshtojë atë. Ky ishte një gjyq farsë ku Policia fiton pa paraqitur asnjë provë, urdhër apo akt para gjykatës. Çdo qytetar e di që në Shqipëri përballë Edi Ramës nuk mund të ketë drejtësi.
Beteja ligjore do vazhdojë deri në Strasburg. Jam i bindur se në fund do ketë drejtësi. Beteja politike, me fakte dhe prova të vjedhjeve të kryeministrit dhe ministrave në dëm të popullit më të varfër në Europë nuk ndalet. Unë nuk shantazhohem dhe nuk tërhiqem!”– u shpreh Shehaj.

Ditët e fundit ka pasur një “lumë” replikash mes kryeministrit Rama dhe deputetit demokrat.

Rama iu drejtua Shehajt me termin “Ballist i foltores”, duke i thënë se ai nuk njeh ligjin, pasi duhet ta dinte që nuk bëhet biznes në një pallat që s’ka leje shfrytëzimi! Ai i quajti zakon ballistash ‘fshehjet në kotece e futjet në pallate pa leje” të Shehajt.

Nga ana tjetër Shehaj ka deklaruar se Rama do që t’i bëjë pis figurën me shpifje e të fshehë aferën me firmën e tij në shpalljen e Xhaçkës investitore strategjike.

Top Channel