Gjykata urdhëron ndihmësin e ish presidentit Trump të dëshmojë në hetimin për zgjedhjet në Xhorxhia

26/10/2022 20:40

Një gjykatës ka urdhëruar ish-shefin e personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, të dëshmojë para një jurie të madhe të posaçme që po heton nëse Presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij republikanë u përpoqën në mënyrë të paligjshme të ndikonin në zgjedhjet e vitit 2020 në Xhorxhia.

Në fillim të vitit të kaluar prokurori i Qarkut Fulton, Fani Willis nisi hetimet lidhur me veprimet e ndërmarra nga ish-presidenti Trump e persona të tjerë, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve që e shpallnin zotin Trump humbës, përballë demokratit Joe Biden.

Për shkak se zoti Meadows jeton në Karolinën e Jugut, zoti Willis duhej të përfshinte në proces një gjyqtar të atij shteti. Gjykatësi Edward Miller nga Qarku Pickens i Karolinës së Jugut lëshoi urdhrin ku i kërkohej zotit Mark Meadows të dëshmojë lidhur me hetimin mbi zgjedhjet.

Avokati i zotit Meadows ka argumentuar se privilegji ekzekutiv e të drejta të tjera që gëzon klienti i tij, e mbrojnë atë nga detyrimi për të dëshmuar.

Top Channel