Uashingtoni shqyrton mundësinë e dërgimit në Ukrainë të sistemeve të mbrojtjes të tipit ‘Hawk’

25/10/2022 16:53

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë dërgimin në Ukrainë të sistemeve të mbrojtjes të tipit ‘Hawk’, një variant i vjetër i tyre, për ta ndihmuar atë të mbrohet nga sulmet ajrore ruse me dron e raketa. Lajmi u bë i ditur për agjencinë e lajmeve ‘Reuters’ nga dy zyrtarë amerikanë.

Raketat gjurmuese ‘Hawk’ kanë aftësi më të përparuara krahasuar me sistemin e raketave ‘Stinger’, një sistem i mbrojtjes ajrore me rreze më të shkurtër veprimi, që Shtetet e Bashkuara e kanë dërguar tashmë në Ukrainë.

Administrata e Presidentit Biden do të përdorë një urdhër presidencial të bazuar në Ligjin për Ndihmat e Huaja për të dërguar në Ukrainë sistemet e mbrojtjes ‘Hawk’, teknologji e cila u prodhua gjatë kohës së luftës në Vietnam, por që është përmirësuar disa herë.

Urdhri presidencial mundëson transferimin me shpejtësi në raste emergjente të pajisjeve për mbrojtjen, nga rezervat amerikane, pa miratimin e Kongresit.

Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ nuk arriti të sigurojë informacion mbi numrin e sistemeve dhe raketave ‘Hawk’ që Shtetet e Bashkuara kanë në plan të dërgojnë në Ukrainë. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte mbi këtë çështje.

Sistemi i mbrojtjes ajrore ‘Hawk’ është paraardhësi i sistemit të mbrojtjes me raketa PATRIOT, i prodhuar nga firma Raytheon Technologies. Zyrtarët amerikanë thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se sistemet PATRIOT mbeten jashtë tavolinës së diskutimeve lidhur me ndihmat për Ukrainën.

Presidenti Joe Biden i premtoi homologut ukrainas Volodomyr Zelenskiy se Uashingtoni do t’i ofrojë Kievit sisteme ajrore të përparuara pas goditjes shkatërruese me raketa nga ana e Rusisë në fillim të muajit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Spanja ka në plan të dërgojë në Ukrainë katër raketa-hedhëse të tipit ‘Hawk’.

Ka të ngjarë që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë fillimisht në Ukrainë raketa gjurmuese për sistemin ‘Hawk’, por zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar më parë se madhësia dhe përbërja e paketave të ndihmës ushtarake mund të ndryshojë me shpejtësi.

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt, sulm të cilin Moska e quan “operacion special ushtarak”, Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës rreth 17.6 miliardë dollarë në ndihmë ushtarake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA