Zgjedhja e Rishi Sunak në krye të Britanisë, vjen pas dilemës së mbijetesës së partisë në pushtet, ose do të unifikohej, ose të zhdukej nga skena politike.
Kryeministri i ri me origjinë indiane, politikani më i pasur në parlamentin britanik, u kurorëzua këtë të martë, pas bekimit nga mbreti Karl, për t’u përballur më pas me krizën e kostos së jetesës dhe stabilizimin e financave publike.
Ish-ministri i Financave pasoi Liz Truss dhe do të hyjë në Downing Street më pak se dy muaj pasi humbi garën me parardhësen e tij.
Konfirmimi i Rishi Sunak dhe kthimi dramatik i ngjarjeve në politiken britanike, do të thotë se ai do të jetë kryeministri i tretë i Britanisë në shtatë javë, duke ia kaluar edhe Italisë, ç’ka është e paprecedentë për politikën britanike. Ardhja në krye të ekzekutivit britanik të Rishi Sunak, përfaqëson disa gurë kilometrik.
Ai do të jetë kryeministri i parë me origjine indiane në këtë post, i ardhur nga një vend ish-koloni e Perandorisë angleze. Ai është i dyti i ardhur nga komunitetet e tjera jo angleze pas Benxhmin Dizraelit, me origjine hebre, në vitin 1874.
Por Rishi Sunak do të jetë edhe kryeministri më i ri britanik në moshën 42-vjeçare, madje më i ri se David Cameron dhe Toni Bler. Ai ka lindur në qytetin e Southemtponit në jug të Anglisë dhe është djali më i madh i dy prindërve me origjinë indiane, babai mjek dhe nëna farmaciste.
Ai ka studiuar në shkollën më të vjetër publike të Anglisë dhe më pas në Oksford dhe në Universitetin Stanford në Kaliforni. I konsideruar gjerësisht si një ekonomist i shkëlqyer, deputeti më i pasur i parlamentit britanik, milioner për shkak të bizneseve të tij, por dhe dhëndër i miliarderit të katërt më të madh të Indisë, me një pasuri më të madhe se sa ajo e Mbretit të Anglisë, shpresat janë se ai do të stabilizojë tregjet dhe financat publike britanike. Koha do të tregoje nëse Rishi Sunak do e navigojë Britaninë, dikur Perandorinë që sundonte detet dhe oqeanet, e cila momentalisht ndodhet mes dallgësh financiare oqeanike drejt bregut apo ai do duhet të hipë në anijen e shpëtimit, nëse ajo fundoset nga të çarat e mëdha të timonierëve përpara tij.
Top Channel