Opozita kërkon më shumë bashki, paraqitet në Parlament kërkesa për ndarjen e re territoriale

25/10/2022 19:51

Dy grupimet brenda Partisë demokratike Kërkojnë që harta territoriale të ndryshojë para zgjedhjeve të pranverës.

Edhe pse qëndrimi është i njëjtë, PD e drejtuar nga Berisha dhe grupimi që ndjek Alibeajn ndoqën rrugë të ndara për depozitimin e projektligjit në Kuvend.

Drafti i Berishës që mbërriti sot në dyert e Kuvendit synon që vendi të ndahet në 97 njësi vendore dy më shumë nga sa propozojnë deputetët që nuk e ndjekin linjën e tij.

“Besoj që ky numër bashkish prej 97 është ai që jep hapësirën më të madhe e mundësitë më të mëdha komuniteteve lokale, nuk ka rëndësi ç’mendon kryeministri, rëndësi ka ç’mendojnë qytetarët”, u shpreh Bylykbashi.

Grupimi i Berishës nuk përfaqësohet në tryezën e reformën territoriale por ngjashmëria e propozimeve duket se i bashkon.

Oerd Bylykbashi i kërkoi kolegëve që të mos bashkëpunojnë me socialistët, të cilët kërkojnë që harta të mos ndryshojë.

“Nuk mundet që ndarja territoriale nuk mund të jetë shkëmbim për ndonjë ligj, ndarja territoriale nuk mund të jetë interes i ngushtë politik“, tha Bylykbashi.

Që në nisje të reformës, socialistët dhanë sinjale se ndarja aktuale në 61 bashki nuk do të ndryshojë, megjithatë demokratët shpresojnë në reflektim të mazhorancës.

Top Channel