Më shumë se 29.000 njerëz kanë vdekur teksa kanë tentuar të migrojnë në Evropë prej vitit 2014, ka thënë Organizata Ndërkombëtare për Migrim në raportin e saj të fundit.

Mbi 5.000 viktima janë regjistruar vetëm në dy vjetët e fundit.

Projekti i agjencisë së OKB-së për migrantët e zhdukur, ka paralajmëruar për “rritje të numrit të vdekjeve në Mesdhe, në kufijtë tokësorë të Evropës dhe brenda kontinentit”.

Sipas raportit, rruga më vdekjeprurëse vazhdon të jetë në qendër të Mesdheut, ku 2.836 migrantë dhe refugjatë kanë vdekur prej janarit të vitit 2021, teksa kanë tentuar të arrijnë në Itali apo Maltë nga Libia dhe Tunizia.

Sipas raportit, rritje e numrit të viktimave është vërejtur edhe në kufijtë evropianë, duke përmendur Greqinë, Ballkanin Perëndimor dhe Kanalin Anglez.

Shumë prej vdekjeve “do të mund të parandaloheshin nga ndihma efektive për migrantët”, është thënë në raport.

Për herë të parë, në raport janë përmendur edhe vdekjet e lidhura me dëbimet e migrantëve nga autoritetet evropiane.

Sipas raportit, që është bazuar në raportimet e dëshmitarëve, 252 persona kanë vdekur si pasojë e dëbimeve.

Kthimi mbrapsht i migrantëve është vepër e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe atij të Bashkimit Evropian, sepse në atë rast shkelet e drejta e një njeriu për të kërkuar azil.

Top Channel