“Ligji për dosjet e ish-sigurimit nuk mjafton”/ Alibeaj: Paketa e PD për dekomunistizimin përfshin…

25/10/2022 12:01

Ligji për ndryshimet për “Të drejtën e informimit për dokumentet e ish Sigurimit të shtetit”, i cili u miratua me 94 vota pro në Kuvend, sipas deputetit Enkelejd Alibeaj nuk mjafton.

Nga kryesia e e Kuvendit, në takimin e zhvilluar me intelektualë lidhur me çështjen e hapjes së dosjeve, Alibeaj tha se Partia Demokratike ka një paketë të tërë ligjesh për dekomunistizimin.

Ai tha se paketa përfshin një amendament për burgun e Spaçit dhe Parkun e Tepelenës, që të shndërrohen në park kombëtar. I dyti tha Alibeaj  është ligji për ndalimin e simboleve të propagandës komuniste si dhe ligji për lustracionin. Alibeaj përsëriti se askush që ka qenë persekutor apo bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, nuk mund të jetë në funksione publike.

“Do të jetë një nga aktet më të rëndësishme të karrierës politike të deputetëve të PD që e mbështetën dhe e votuan. E paraqitëm amendamentin si detyrim moral ndaj shoqërisë shqiptare dhe e mbështetëm. Ne ia arritëm për të hapur dosjet e sigurimit të shtetit, nuk ka asnjë lloj doze triumfi të tepruar në këtë pikë. Jemi 31 vite më pas, ku shumëkush ka shpresuar që koha e ka bërë efektin e vet.

Për momentin është një nga çështjet më të rëndësishme dhe delikate. Por a mjafton? Jo! Unë e kuptoj që është re rëndësishme për këdo, mund të jetë në nivelet e simbolizmit të vet, por është e pamjaftueshme. Ne nuk u mjaftuam vetëm me dy amendamente, por paketë të plotë për dekomunistizimin.

E para ka një amendament për burgun e Spaçit dhe Parkun e Tepelenës të shndërrohen në park kombëtar. I dyti, ligji për ndalimin e simboleve të propagandës komuniste dhe ligji për lustracionin. Gjë tjetër është të hapen dosjet, gjë tjetër të mësohen gjëmat me pasojat që i kanë lënë një shoqërie të tërë.

Po me persekutorët që janë gjallë, dhe janë të angazhuar në sferën publike, ccfarë duhet të ndodhë? Sa e pranueshme është kjo situatë? Njerëz militant të sigurimit të shtetit të mund të jenë sot përfaqësues të sferës publike, në poste nga më të larta dhe në administratën. Nuk duhet të jetë më sot një administratë public, njerëz që dje kanë qenë anëtar të sigurimit të shtetit dhe kanë shkaktuar dëme ndaj shtetit.

Ligji i lustracionit kërkon votat dërrmuese të parlamentit. Kam dashur që çështje të tilla të mos bien asnjëherë nën kurthin e vogël të debatit politik. Ne pretendojmë që duke nisur nga ky stad, është e nevojshme për ne një ristabilizim i vlerave ideologjike në politikë”- tha Alibeaj.

Top Channel