Unifikimi i Abetares është një nga shembujt më tipik për të treguar ecurinë e marrëveshjeve në sektorin e arsimit.
Konkretisht për këtë unifikim u deshën më shumë se 10 vjet ndërkohë që për produktin përfundimtar u punua vetëm 6 muaj.
Kalvari i abetares së përbashkët apo i kurrikulës së unifikuar është edhe momenti më i mirë për të kuptuar se në çfarë filozofie janë ndërtuar këto marrëveshje. Nga viti 2012 ne kemi arritur një marrëveshje për unifikimin e abetares dhe për hir të së vërtetës nga ana kosovare ka pasur një qasje më të madhe për ta përqafuar unifikimin e abetares.
“Ndërkohë që nga 2012 në 2021 risillet si një moment historik në vendin tonë dhe nëse shohim edhe shprehjet e ekspertëve që kanë ndërtuar materialin e abetares së unifikuar kuptojmë se atyre ju është lënë 6 muaj kohë, një kohë ekstremisht e ngushtë për të ndërtuar atë që është shumë e rëndësishme për të dy kombet, abetaren”, u shpreh Migen Qiraxhi, Qëndresa Qytetare.
Mirëpo unifikimi i abetares ka hasur në disa vështirësi. Sipas dëshmisë së një mësueseje në Prishtinë, abetarja ka fjalë të cilat jo vetëm fëmijët nuk i kuptojnë por ato as nuk ekzistojnë në fjalorin shqip.
“Te zhvillimi i shkronjës C shfaqet një telefon ndërkohë që shkruhet poshtë celulari. Celulari nuk është shprehje e të folurës karakteristike në Kosovë. Gjithashtu nuk është gjendur në fjalorin e gjuhës shqipe”, u shpreh Dardan Statoveci, mësuese.
Problem nuk janë vetëm këto “fjalë” që janë të huazuara por edhe përmbajtja e teksteve është e vakët, pa kuptim dhe nuk nxit imagjinatën e fëmijëve.
“Nga ana leksikore kemi vërejtur që ka pak varfëri në historitë e shkruara te zhvillimi i shkronjave. Por besoj që ka hapësirë për shprehjen e kreativitetit në këto tema. Ne tentojmë që të nxisim kreativitetin e fëmijëve dhe nëse nuk kemi kreativitet në tekstet që në fillimin e mësimeve të fëmijës me abetaren si libri i parë cfarë mund të presim nga fëmijët që të jenë kreativë”, u shpreh Dardan Statoveci, mësues.
Për të kuptuar më qartë se çfarë tekstesh dhe përmbajtjesh ka abetarja po sjellim një shembull. Në një prej faqeve të saj nxënësit e klasës së parë do të lexojë këtë tekst:
Ana formoi fjalën RROTA.
Blini formoi fjalën KOKRRA.
Iliri formoi fjalën RRUSHI.
Ata formuan fjalinë:
RRUSHI KA KOKRRA.
Fjala “rrota” nuk është pjesë e fjalisë. Ndoshta autori ka dashur të thotë se me këtë abetare të unifikuar ata i ka marrë “rrota e historisë”.
Top Channel