Hapja e dosjeve/ Alibeaj: Viktimat e komunizmit kanë të drejtë të dinë të vërtetë, por nuk duhet të keqpërdorin informacionin!

25/10/2022 11:50

Çdokush ka të drejtë të marrë një kopje dhe të shohë si ka qenë e vërteta e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, thotë deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

Nga kryesia e Kuvendit, Alibeaj tha mbi të gjitha se, të afërmit e viktimave të sistemit komunist kanë interesin për të parë se çfarë ka ndodhur me ta.

“Çdokush të ketë të dejtë që duke marrë kopjen, të shohë vetë se si ka qenë e vërteta e atyre dosjeve, pa filtra, pa përpunim dhe të krijojë vetë të vërtetën nga konsultimi dhe pasja dorë e këtyre dokumenteve”.

Por, thekson Alibeaj, askush nuk duhet të keqpërdorë informacionin që ndodhet në dosjet që do të hapen pas miratimit të amendamentit.

“Ai që paraqitet para Autoritetit të Dosjeve, të thotë për cilët individë dhe arsye i do të dhëna. Hapja e dosjeve ka si synim informimin e publikut shqiptar, që gjithësecili të kuptojë realisht se çfarë ka ndodhur.

Për këtë arsye, në amendament është parashikuar që çdo kush që ka interes të marrrë një kopje, duhet të sigurojë që nuk do ta keqpërdorë informacionin, nuk do ta përdorë për shantazh, nuk do ta nxjerrë nga konteksti”.

Të enjten e kaluar, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Ndryshimet kërkonin 84 vota. Votave të socialistëve iu bashkuan edhe ato deputetëve të grupimit Alibeaj në PD duke e votuar ligjin në tërësi me 94 vota pro dhe vetëm 1 abstenim nga deputeti socialist Nasip  Naço. Miratimi këtij ligji zhbën certifikatat e pastërtisë të lëshuara më parë nga komisionet Bezhani dhe Mezini.

Ndryshimet erdhën pasi Autoriteti i Dosjeve i dërgoi një informacion Kuvendit se një politikan me inicialet I.M kishte bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit. Ky informacion u shoqërua edhe me disa ndryshime ligjore propozuar nga autoriteti dosjeve, të cilat gjetën përkrahjen e socialiste dhe të grupimit Alibeaj propozues edhe të një tjetër projekt ligji për dekomunistizimin.

Ndryshimet u kundërshtuan nga deputetët mbështetës të Sali Berishës në PD të cilët u larguan në momentin e votimit pasi panë që projektligji i tyre nuk u mor në konsideratë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA