Funerale masive pas gjashtë palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Bregun Perëndimor (video)

25/10/2022 18:52

Mijëra palestinezë mbanin sot trupat e pesë të rinjve, të vrarë një natë më parë gjatë sulmeve masive të ushtrisë izraelite në një zonë të qytetit të pushtuar Nablus.

Izraeli tha se kishte nisur bastisjet për të goditur një grup të ri të armatosur militantësh, të cilin e fajëson për një numër sulmesh.

Ministria palestineze e shëndetësisë tha se pesë njerëz ishin vrarë në Nablus në veri të Bregut Perëndimor, dhe një tjetër palestinez u vra me plumb në gjoks gjatë përleshjeve të natës, nga forcat izraelite në Nabi Saleh, në veri të Ramallah.
Kryeministri izraelit Yair Lapid tha në një deklaratë se mes të vrarëve ishte dhe kreu i dyshuar i grupit të militantëve Wadi al-Houh.

Në një deklaratë ushtria izraelite thoshte: “Forcat e ushtrisë shpërthyen një impjant të prodhimit të eksplozivëve. Gjatë aktivitetit janë qëlluar shumë të dyshuar”.

Muhammad Hamdan, sekretar i lëvizjes palestineze Fatah në Nablus tha:

“Të gjitha këto krime, me të cilat pushtuesi kërkon të gjunjëzojë rezistencën, vetëm se e bëjnë atë më të fortë. Kjo gjeneratë e palestinezëve është rritur me krenari dhe nuk trembet nga makineria e luftës e Izraelit. Krimet nuk do të kalojnë të padënuara dhe pushtuesi izraelit do të paguajë çmimin për këto krime”.

Nasr Abu Jaish, zyrtar palestinez në Nablus tha për rrjetin AFP: “Ky qytet (Nablus) ka qenë i rrethuar për 15 ditë radhazi, dhe tani nuk ka aspekte të jetës ekonomike, politike e arsimore. Ne jemi një popull që mbron veten e tij dhe do të vazhdojmë të forcojmë rezistencën për të mbrojtur popullin e Palestinës”.

“Jemi në periudhë zgjedhjes dhe është bërë zakon që regjimi sionist izraelit kërkon që palestinezët të paguajnë çmimin e tyre me gjak”, shtoi ai.

FOTO GALERI
2/3
Ministria palestineze e shëndetësisë tha se pesë njerëz ishin vrarë në Nablus në veri të Bregut Perëndimor, dhe një tjetër palestinez u vra me plumb në gjoks gjatë përleshjeve të natës

Top Channel