Dëmtimi i sektorit të energjisë/ Zëvendëskryeministrja i drejtohet refugjatëve ukrainas: Mos u ktheni në shtëpi këtë dimër

25/10/2022 18:57

Refugjatët që u larguan nga Ukraina në vazhdën e pushtimit të Rusisë duhet të qëndrojnë jashtë vendit këtë dimër për shkak të ndërprerjeve të energjisë të krijuara nga bombardimet e Moskës ndaj infrastrukturës kritike të energjisë.

Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk u tha ukrainasve që aktualisht janë strehuar jashtë vendit se duhet të presin deri në pranverë përpara se të kthehen.

“Doja t’i kërkoja (ata) të mos kthehen. Ne duhet të mbijetojmë dimrin”, tha ajo në një intervistë televizive.

Rusia ka nisur një valë sulmesh me raketa dhe dronë që synojnë infrastrukturën energjetike të Ukrainës gjatë dy javëve të fundit, për të cilat Kievi ka deklaruar se ka dëmtuar deri në 40% të sistemit energjetik.

Zyrtarët vendas paralajmëruan javën e kaluar se banorët duhej të përgatiteshin për shkëputje të mundshme që zgjasin ditë apo edhe javë.

Sulmet në infrastrukturën e Ukrainës vijnë në një sfond të rritjes së çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe të tjera në Evropë, ku shumica e miliona refugjatëve kërkuan strehim.

 

 

Top Channel